Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se VV për një periudhë të shkurtër ka prodhuar shumë skandale, sa që njeriu i arsyeshëm frikësohet për sigurinë dhe të ardhmen e vendit, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se arrestimi i asamblistit me 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro, është shenjë e frikshme se shteti ka rënë në duar të liga.
Sipas saj, Albin Kurti e ka sanksionuar Atdheun e tij dhe tash po përpiqet të mbjellë sherr edhe në fqinjësi.
Postimi i saj i plotë:
Për një periudhë aq të shkurtër qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje ka prodhuar aq shumë skandale, sa që njeriu i arsyeshëm frikësohet për sigurinë dhe të ardhmen e vendit.
Arrestimi i asamblistit me 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro, nga policia shqiptare, është shenjë e frikshme se shteti ka rënë në duar të liga.
Derisa, kryeministri është duke prodhuar një kiç patriotizëm ndër shqiptarët, edhe fqinjët konstruktivë të Kosovës kanë nisur ta shohin me mosbesim e habi.
Albin Kurti e ka sanksionuar Atdheun e tij dhe tash po përpiqet të mbjellë sherr edhe në fqinjësi.
Qesharake po të mos ishte e rrezikshme!


