Lajme

Pronat e komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi e kallëzon penalisht për 20 kontrata Xhafer Tahirin, ish-kryetari i mohon pretendimet

08/14/2023 21:14
nga:G B

Përplasjet e ashpra mes PDK e LDK në Vushtrri po vazhdojnë edhe gati 2 vite pas zgjedhjeve komunale të 2021’ës, të cilat ndryshuan pushtetin në këtë komunë. Qeverisja aktuale e Vushtrrisë, një sërë dosjesh e kallximesh penale i ka deponuar në Prokurori të Shtetit kundër ish-pushtetarëve nga LDK’ja. Një të tillë e ka deponuar edhe vetë kryetari Ferit Idrizi, direkt, ndaj ish-kryetarit, Xhafer Tahiri.

Anëtari i kryesisë së LDK’së që për një mandat udhëhoqi Vushtrrinë, Xhafer Tahiri, u kallëzua penalisht në Prokurorinë Speciale të Kosovës nga kryetari aktual i kësaj komune, Ferit Idrizi, që vjen nga radhët e PDK’së. Kallëzimi penal ishte deponuar në Prokurorinë Speciale në shtator të vitit 2022.

Në kallëzimin penal të deponuar nga kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, pretendohet se ish-kryetari Xhafer Tahiri, ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, gjatë qeverisjes së tij në këtë komunë.

Në kallëzimin penal të kryetarit të Vushtrrisë ndaj ish-kryetarit Xhafer Tahiri, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, anëtari i kryesisë së LDK’së denoncohet për 20 kontrata me operatorë ekonomikë të nënshkruara nga ai, për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme të komunës, gjatë mandatit të tij qeverisës.

Fjala është për disa prona në parkun e Industrial në Lumadh të Vushtrrisë. Kontratat ishin nënshkruar nga atëkohë kryetari Tahiri me 14 qershor 2021. Disa muaj pas, në dhjetor të 2021-ës, Zyra Ligjore e Komunës së Vushtrrisë, kishte konstatuar se kontratat janë në kundërshtim me ligjin, pretendohet në kallëzimin penal.

Kërkesën për interpretim ligjor të kontratave nga Zyra Ligjore, ishte bërë nga ish-drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë të Komunës së Vushtrrisë.

Kjo pasi, siç pretendohet, në kontratat e lëshuara nga komuna e Vushtrrisë parashihej se operatorët ekonomikë, përfitues të shfrytëzimit të pronave komunale, mund ta lëshojnë me qira si dhe ta bartin të drejtën e marrjes në shfrytëzim afatgjatë të objektit të kontratës apo një pjesë të tij, tek një operator tjetër ekonomik.

 

Tahiri i mohon pretendimet, Prokuroria “në pushim vjetor”

Derisa Idrizi ka deponuar kallëzim penal në Prokurori të Shtetit, përplasjet e fushatës zgjedhore me Xhafer Tahirin, nga ky i fundit, janë bartur edhe në Gjykatë përmes një padie. Ajo ishte njoftuar gjatë fushatës zgjedhore, “për shpifje ndaj figurës” së ish-kryetarit.

Xhafer Tahiri kishte theksuar se e ka paditur Ferit Idrizin për akuzat e tij për korrupsion në mandatin e tij si kryetar komune.

I kontaktuar nga gazeta online Reporteri.net, në lidhje me kallëzimin penal të deponuar në Prokurori kundër tij, Xhafer Tahiri i ka mohuar pretendimet e pasuesit të tij në krye të Vushtrrisë. Publikimin e kallëzimit penal e ka lidhur me procesin e padisë për shpifje në gjykatë. I njëjti ka pohuar se është duke e incizuar bisedën me gazetarin, për ta përdorur në seancën e 8 shtatorit, kur thotë se do të zhvillohet në gjykatë. E sqarimet i ka dërguar pastaj me mesazh.

“Me datë 8 shtator 2023 ora 9:00h në Gjykatën në Vushtrri mbahet seanca kryesore sipas padisë time për shpifje ndaj Kryetarit Idrizi. Aktualizimi i këtij kallëzimi penal tani nga Kryetari Idrizi ka të bëjë me padinë për shpifje me të cilën vet ai nuk ka guxim të përballet në gjykate por po “fshihet” pas avokatit te tij. Por unë besoj te Gjykata dhe se ajo nuk do të ndikohet nga këto lajme ne prag të seancës kryesore”, ka thënë ai.

Tutje ai sqaron se Zona Ekonomike në Vushtrri është themeluar në bazë të ligjit për Zonat Ekonomike sipas instruksioneve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që në vitin 2018. Thotë se të gjitha procedurat për Zonën Ekonomike në Lumadh i ka udhëhequr Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë, i cili edhe sipas tij i ka përzgjedhur përfituesit e Zonës Ekonomike.

“Unë vetëm i kam zbatuar vendimet e Kuvendit të Komunës. Kuvendi i Komunës i ka përzgjedhur të gjithë përfituesit sipas konkursit publik, ndërsa është detyrim ligjor i Kryetarit të Komunës ti nënshkruaj kontratat sipas vendimit të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë. Besoj që të gjitha procedurat janë respektuar nga Kuvendi i Komunës. Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale Kryetari i Komunës obligohet ti zbatoj vendimet e Kuvendit të Komunës”, tha Tahiri.

Gjatë bisedës në telefon, Tahiri shtoi se me sa e di Prokuroria e Shtetit e ka hedhur poshtë kallëzimin penal. Por, këta të fundit, të kontaktuar nga Reporteri.net, qysh me 10 gusht përmes e-mail’it, nuk janë përgjigjur në interesimin e as në insistimin e gazetës rreth këtij kallëzimi penal që e kanë pranuar qysh para gati 1 viti.

Dy përgjegjësit për media të Prokurorisë, Ekrem Lutfiu edhe Bedri Gashi, përmes mesazheve automatike kanë njoftuar se janë në pushim vjetor duke i deleguar punët tek njeri-tjetri, e duke mos u përgjigjur asnjëri, as pas 5 ditëve kur u janë dërguar e ridërguar pyetjet.

Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të marrë sqarime tjera rreth kallximit penal edhe nga Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, por numri i tij i telefonit ka qenë i paqasshëm, të hënën.