Avokati Driton Muharremi ka njoftuar se ka ushtruar padi për shpifje ndaj këshilltarit të ministres Arbërie Nagavci, Valdrin Dervishaj.
Me anë të një postimi në Facebook, Muharremi tha se ka kërkuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë që ta intervistojë të njëjtin lidhur me deklarimet e tij publike se ai ka njohuri rreth një hetimi që Prokuroria është duke hetuar rreth dy zyrtarëve të MASHT dhe se ky e di epilogun e këtij hetimi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sot kam ushtruar Padi për shpifje kundër këshilltarit të ministres se MASHT-it z. Valdrin Dervishaj si dhe kam kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ne Prokurorinë Themelore në Prishtinë që ta intervistoj të njejtin lidhur me deklarimet e tij publike se ai ka njohuri rreth një hetimi që Prokuroria është duke hetuar rreth dy zyrtareve te MASHT dhe se ky e din epilogun e ketij hetimi!
Mjetet lidhur me dëmin publik që më ka bërë me këtë shpifje do ti dhuroj në Fondacionin per te drejtat e kafshëve!”.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi“, të shtunën ka raportuar se Shtëpia Botuese “Luarasi”, ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, sekretares së Përgjithshme në këtë ministri, Fadile Dyla, si dhe këshilltarit të ministres, Valdrin Dervishaj, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe falsifikim të dokumenteve.


