Brenda pak ditësh në Kosovë kanë ndodhur tri vrasje të rënda dhe janë plagosur disa të tjerë, gjersa të dyshuarit e këtyre veprave penale ende janë në kërkim nga Policia e Kosovës, raporton GazetaBlic.
Vrasja e fundit ka ndodhur të enjten, në komunën e Skenderajt, në qendër të Kosovës. Në një kafene, në fshatin Runik, një 39-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur.
Mirëpo, dy të dyshuarit (me maska) të kësaj vepre penale ende janë në arratisje dhe në kërkim nga Policia e Kosovës.
Po ashtu, katër ditë më parë, më 7 gusht, në një lokal në qytetin e Klinës, në pjesën perëndimore të Kosovës, me armë zjarri u vra një person rreth të 50-tave, Anton Prela.
Tush Frroku i dyshuari për këtë vrasje është ende në arrati dhe në kërkim nga Policia e Kosovës.
Kurse, më 4 gusht, në një kafene në qendër të Prishtinës, një person u vra dhe 17 persona të tjerë u plagosën gjatë një përleshjeje me armë zjarri.
E, në arrati vazhdon të jetë personi që u përfshi në ngjarje, Dukagjin Nikollaj i njohur me nofkën “Duka”.
Por, çfarë po ndikon në këto vrasje dhe cilat janë masat që duhet marrë urgjentisht?
Sociologu, Artan Muhaxhiri thotë se, vrasjet që po ndodhin në kafiteritë e Kosovës nënkuptojnë një trend i cili ka të bëjë me humbjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve, mungesën e frikës ndaj policisë dhe mungesën e besueshmërisë ndaj gjyqësisë, raporton Gazeta Blic.
Muhaxhiri tha për Gazeta Blic, se kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për shtetin tonë, për identitetin shtetëror, sepse tregon që Institucionet e sigurisë e kanë humbur kontaktin me realitetin.
“Kur në një vend të vogël si Kosova për një kohë kaq të shkurtër ndodhin kaq shumë vrasje, atëherë kjo nënkupton një trend i cili ka të bëjë me humbjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve, mungesën e frikës ndaj policisë dhe mungesën e besueshmërisë ndaj gjyqësisë. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për shtetin tonë, për identitetin shtetëror, sepse tregon që insitucionet e sigurisë e kanë humbur kontaktin me realitetin pasi nëse kaq shumë armë ka tek qytetarët e thjeshtë”, tha ai.
Muhaxhiri konstatoi se, është e pakuptueshme, se si në një kafiteri mund të jenë 10 persona të cilët kanë armë dhe policia të mos e ketë një informatë të tillë.
“Është krejtësisht e pakuptueshme, se si në një kafiteri mund të jenë 10 persona të cilët kanë armë dhe policia të mos e ketë një informatë të tillë. Policia duhet të jetë absolutisht më profesionale, që të bëjë plane konkrete, sinqerisht është krejtësisht e pakuptueshme sepse të gjtha këto vijnë vetëm pasi të ndodhin krimet e viktimat e jo paraprakisht, gjë që edhe do të mund të parandalonte këto raste me viktima”, përfundoi ai.
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala tha se përgjatë dy viteve të fundit 2021-23, kemi pasur një neglizhenc nga institucionet e Kosovës, meqenëse fokusi kryesor ka qenë mbrojtja në veri të vendit, e me këtë është lënë anash siguria publike.
“Qytetarët e Kosovës janë duke u atakuar nga një shfrenim total i aktiviteteve kriminale, por në anën tjetër duke u tramatizuar sepse nuk janë raste të rëndomta. Kjo e dëshmon se ka neglizhenc, ka një moskordinim në mes policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit”, ka thënë Shala.
“Ka lëndim të sigurisë publike, po nuk mund të themi se kemi një skajshmeri ekstreme të prishjes së sigurisë publike por kemi një fragjilitet i cili është si rezultat i vendimeve të gabuara politike”, tha tutje Shala.
Ndër të tjera ai ka thënë se gjatë 48 orëve të fundit ka pasur një shtim të Policisë së Kosovës në pikat kufitare, në mënyrë që të garantohet siguri dhe të jepet mesazhi tek individët që kanë të kaluar kriminale të mos qëndrojnë në ato lokalitete.Gjithashtu Shala ka thënë se sipas shifrave nga bashkësia ndërkombëtare, afro 250 mijë armë ilegale dhe 50 mijë armë legale, janë në duart e qytetarëve të Kosovës, dhe sipas tij kjo paraqet një potencial të madh të kriminalitetit në shoqëri.
/GazetaBlic/


