Faqja e internetit Global Firepower publikon çdo vit një renditje të forcave të armatosura kombëtare, nga më e forta tek më e dobëta.
Gjatë vlerësimit merren parasysh faktorë të tillë si sasia e pajisjeve ushtarake dhe ushtarëve të çdo vendi, si dhe gjendja e tyre financiare, kapacitetet logjistike dhe kushtet gjeografike, ndër të tjera.
SHBA-të kanë ushtrinë më të fuqishme në botë, ndërsa Kosova ka arritur ngritje dhe pozicionohet në vendin e 134-të.
Vitin e kaluar Ushtria e Kosovës ishte renditur e 139-ta, pra vendi ynë ka përparuar për 5 pozita.
Bazuar në faktorët e listuar më sipër, krijohet një vlerësim “Indeksi i Fuqisë”, ku një vlerësim më i ulët tregon një ushtri më të fortë.
Në rishikimin e Global Firepower për vitin 2023, merren parasysh gjithsej 145 fuqi botërore.
Në këtë listë Bosnja dhe Hercegovina është në pozitën e 133-të, vetëm një vend më lartë se Kosova, Shqipëria zë vendin e 91-të, Kroacia në vendin e 69-të, Mali i Zi në vendin e 128-të dhe Serbia e 58-ta. Maqedonia e Veriut zë vendin e 108-të.


