Lajme

Ish-këshilltari i Kurtit demanton ambasadorin Ajeti për njohjen e avokatëve në Gjermani

08/11/2023 12:55
nga:N M

“Avokatët nga Republika e Kosovës njihen zyrtarisht nga Gjermania”, tha dje ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Këtë njoftim të ambasadorit Ajeti, e të shpërndarë si sukses nga avokatë e juristë në Kosovë, e ka kundërshtuar po një jurist. Durim Berisha, ish-këshilltar për çështje ligjore i kryeministrit Albin Kurti thotë se ky sukses, nuk është bash sukses.

Avokatët kosovarë nuk do të njihen si të barabartë në Gjermani, sipas Berishës.

“I kontaktuar nga shumë miq avokatë nga Kosova të cilët ju gëzuan ‘lajmit për njohje të avokatëve nga Kosova në Gjermani’ të publikuar nga ambasadori i Kosovës në Berlin z. Faruk Ajeti dhe tentimit për t’a shitur sukses të tyre disa avokatë nga Kosova, me keqardhje mund të ju them se jeni vënë në lajthim”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Berisha ka thënë se autoritetet gjermane kanë ndryshuar vetëm një akt nënligjor, i cili lejon ushtrimin e disa kompetencave për avokatët kosovarë, por “nuk lejon ushtrimin e profesionit të avokatit dhe ofrimin e shërbimeve juridike për të drejtën gjermane”.

“Profesionet juridike klasifikohen si profesione të reglementuara dhe ato kanë parakusht përfundimin e provimeve shtetërore, në këtë rast të jurisprudencës. Për më tepër njohja e kualifikimeve profesionale është kompetencë e landeve dhe jo e federatës. Poashtu këto procese rregullohen me ligj dhe jo me akte nënligjore. Nuk jemi këtu në Kosovë ku edhe Kushtetuta zhvlerësohet me akte nënligjore”, ka vijuar Berisha.

“Përmes ndryshimit të aktit nënligjor është lehtësuar procedura e regjistrimit në Odat e Avoktëve në Gjermani si ofrues shërbimesh dhe konsultash për të drejtën e shtetit të prejardhjes apo të drejtën ndërkombëtare (pra jo gjermane) për avokatët e licencuar në Kosovë – pa dëshmuar njohuritë në të drejtën kosovare. Edhe më herët ka qenë e mundur të licencohesh si konsulent për të drejtën e shtetit të prejardhjes apo të drejtën ndërkombëtare, por ka qenë e nevojshme të kalohet nëpër një procedurë vlerësimi dhe licencimi”, ka deklaruar ai.

Kurti ‘çele guri gojën’ para gazetarëve për zhvillimet politike: Nuk bënë kështu… hajdeni në Qeveri