Lajme

Njohësi i çështjeve juridike: Udhëzimi Administrativ totalisht i panevojshëm, s’ka koordinim Qeveri-MAPL!

08/10/2023 19:03
nga:Y I

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar sot se mënyra e duhur për shpalljen e zgjedhjeve në veri është përmes peticionit.

Ndërsa Ministria e Pushtetit Lokal (MAPL)ka caktuar grupin punues për hartimin e ‘Udhëzimit Administrativ’ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri.

Por çfarë janë Peticioni dhe  Udhëzimi Administrativ ?

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se Peticioni dhe Udhëzimi Administrativ janë e njëjta gjë.

Baraliu tha se peticioni është njëra nga modelet që të jep mundësinë me shku në zgjedhje.

Udhëzimi Administrativ dhe peticioni janë e njëjta gjë. Kërkesa apo peticioni është njëra prej modeleve që jep mundësinë për të shku në zgjedhje mirëpo për t’u realizuar ka disa shkallë apo procedura. E para duhet të bëhet kërkesa nga 20% i trupit elektoral ajo pastaj i drejtohet kryesuesit të Kuvendit Komunal të komunës përkatëse dhe ai pastaj e dërgon në KQZ. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve e realizon pastaj çështjen e votimit dhe nga ai 20%, 50% plus 1 duhet të votojnë në mënyrë që të shkarkohen kryetarët e atyre komunave”

Ai tutje shtoi se ‘Udhëzimi Administrativ’ është krejtësisht i panevojshëm.

Baraliu tha se duhet t’i shtrohet pyetja Kryeministrit se pse në prill u shkua në zgjedhje pa këtë ‘Udhëzim’

“Ky po flet për një Udhëzim Administrativ i cili është totalisht i panevojshëm. Duhet t’i shtrohet pyetja kryeministrit dhe kësaj Qeverie se pse në prill shkuat pa këtë Udhëzim Administrativ, pse edhe herave të tjera keni shku qoftë në nivel lokal apo nivel qëndror, qoftë në zgjedhje të jashtëzakonshme apo parakohshme pa këtë, por me këtë dispozitë që është në fuqi dhe që ishte edhe atëherë, “Neni 72 i Ligjit për Vetqeverisje Lokale”. Ata si duket nuk e kanë të qartë dhe nuk kanë koordinim të mjaftueshëm (Qeveri-MAPL) por edhe peticioni edhe Udhëzimi Administrativ kanë të bëjnë me një model apo mënyrë të shkuari në zgjedhje” tha Baraliu për “Gazeta Blic’


Mazllum Baraliu, Njohës i çështjeve juridike

Kryeministri Albin Kurti tha se mënyra e duhur për të shku në zgjedhje të parakohshme në veri është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për Vetqeverisje Lokale.

“Sa i përket zgjedhjeve të reja të parakohshme, ne qysh nga fillimi kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhjet më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuan si përqindje me 24 prill të nesërmen. Andaj kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata, në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim. Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual” tha sot Kurti raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

 

Kurti: Peticioni mënyra e duhur për zgjedhjet në veri, BE t’i largojë sanskionet sa më parë

“Peticioni dhe Udhëzimi Administrativ”- Rrustemi tregon cila është mënyra e duhur për të shku në zgjedhje në veri!

Qeveria fillon procedurat për largimin e kryetarëve në veri (DOKUMET)