Lajme

“Takimi Kurti-Vuçiq në shtator, për zgjidhjen e bllokadës dhe dakoordimin rreth zgjedhjeve”

08/09/2023 19:15
nga:Y I

Në shtator pritet të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.

Kështu ka deklaruar pak javë më parë ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerót.

“Në këtë fazë, një takim i ri i nivelit të lartë ndërmjet BE-së, Kosovës dhe Serbisë duhet të organizohet në fillim të vitit shkollor, por i takon lehtësuesit evropian, z. Lajçak, të vlerësojë ritmin e duhur të bisedimeve. Ne kemi besim të plotë tek ai”, ka thënë Guerót, raporton Gazeta Blic.

Në lidhje me një takim të mundshëm Kurti-Vuçiq dhe çfarë pritet të vendoset nëse mbahet, ka folur për “Gazeta Blic”, njohësi i çështjeve politike në vend, Blerim Burjani.

Burjani tha se ky takim mund të mbahet për t’u  gjetur një zgjidhje rreth bllokadës në veri dhe për t’u dakoorduar rreth mbajtjes së zgjedhjeve.

“Mund të jetë për zgjidhjen e bllokadës, pala kosovare ka dhënë sinjale të qarta për organizimin e zgjedhjeve bazuar me procedurat e propozuara të Minstrisë, pra udhëzuesi kryhet, mblidhen 20% të nënshkrimeve përmes peticionit, dhe hapet rruga perpara për zgjedhje, nëse Vuçiq nuk e bllokon procesin për peticion që duhet të kryhet” tha Burjani për “Gazeta Blic”

Burjani pati kritika edhe për qasjen e Bashkësisë Ndërkombëtare në lidhje me zhvillimet Kosovë-Serbi.

“E keqja më e madhe është se Serbia po prezantohet si pronar i serbëve kosovar e qëndrimi i Bashkesisë Ndërkombetare derisa t’ia ben me dije se nuk mund të flasë në emër të serbve dhe ti kërcënohet Kosovës sa herë të don, zgjidhje nuk do te ketë për veriun. Pra qasja ndërkombëtare ka qenë per 24 vjet e gabuar. Tash Bashkesia Ndërkombetare po i paguan çmimin vetes për dështimet.Qasja duhet të jetë plotesisht e qartë, dialogu siç është thënë ne Rezolut të OKB është teknik, dhe nuk guxon të del jashtë mandatit teknik.” deklaroi ai për “Gazeta Blic”.

Blerim Burjani, Analist

Tash e disa muaj, situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme ku serbët nuk morën pjesë dhe hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të zgjedhur situata doli jashtë kontrollit.

Serbët lokalë u përplasën me Policinë dhe KFOR, duke e eskaluar edhe më tej situatën.

Gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë rreth kësaj situate të krijuar, bëri që me 10 korrik të arrihet një dakoordim mes Besnik Bislimit dhe Miroslav Lajçak në Bratisllavë, për shtensionimin e situatës.

Qeveria e Kosovës prezantoi katër pika për deeskalimin e situatës në veri:

1-Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm për 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

2-Policia e Kosovёs bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

3-Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

4-BE-ja do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Megjithëse Kosova ka tërhequr 50% të njësive policore nga objektet komunale në veri si dhe është dakoorduar për mbajtjen e zgjedhjeve, ende situata atje mbetet e bllokuar dhe nuk dihet se çfarë do të sjell shtatori.

/Gazeta Blic/