Në rastin ku për krim të organizuar lidhur me veprën penale të kontrabandimit me migrantë po akuzohen Florim dhe Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger, dëshmitarët Selim Ibrahimi dhe Dafina Vuthaj kanë deklaruar se nuk i njohin asnjë nga të akuzuarit.
Për dëshmitarët Ibrahimi dhe Vuthaj ka pasur pyetje vetëm prokurorja Florije Shamolli.
Fillimisht, dëshmitari Ibrahimi, i cili deklaroi se punon si shofer kamioni në një kompani private tha se patentë shoferi i kishte humbur në vitin 2020-2021.
Mirëpo, para se të pajisej prapë me patentë shofer, deklaroi se ka biseduar me një person nga një kompani e sigurimeve për ta regjistruar automjetin e tij.
Tutje, ai tha se i njëjti person i kishte thënë se nuk është e mundur që ta regjistroj veturën, pa pasur edhe patentë shofer.
Sipas tij, i njëjti i kishte ofruar se nëse e bënë sigurimin e automjetit tek ai, ku 300 euro do i kushtonte sigurimi dhe 200 euro për t’ia nxjerrë patentë shoferin, e për të cilën dëshmitari tha se ishte pajtuar.
Mirëpo, pas pak ditësh i njëjti person i kishte thënë se nuk po arrin t’ia kryej shërbimin, por që me të njëjtën shumë i kishte ofruar t’ia bënte patentë shoferin, jo origjinal, që sipas tij i bënte një shok i të njëjtit në Serbi.
Krejt në fund, dëshmitari Ibrahimi tha se nuk kishte pranuar ta bënte një dokument të tillë, kurse tha se ai person quhej O.B.
Më pas është dëgjuar edhe dëshmitarja Vuthaj, e cila deklaroi se para dy viteve dikush e kishte telefonuar vëllaun e saj, për t’i treguar se i janë keqpërdorur dokumentet e së njëjtës.
Vuthaj tha se kur kishte shkuar në polici, i ishte prezantuar një pasaportë, ku sipas saj kishte qenë një foto e një gruaje tjetër dhe tjetër numër i pasaportës, por të dhënat tjera të njëjta me të saj.
Po ashtu, ajo tha se në polici i ishin prezantuar edhe fotografi të 3 ose 4 njerëzve, por që kishte deklaruar se nuk i njeh.
Ndryshe, dëshmitarët Ibrahimi dhe Vuthaj deklaruan se qëndrojnë pranë deklaratës së tyre në polici.
Kurse, dëshmitari Rinor Bjondegart nuk ishte i pranishëm në këtë seancë, për të cilin gjykatësi Kujtim Krasniqi tha se është ftuar me ftesë të rregullt, por që i njëjti nuk e ka arsyetuar mos prezencën e tij në këtë seancë.
Për dëshmitarin Bjondegart, gjykatësi Krasniqi tha se do të urdhërohet sjellja e tij me shoqërim përmes policisë.
Seancat e radhës për këtë çështje janë planifikuar të mbahen më 18 dhe 19 shtator 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 tetor 2021, Florim Krasniqi, Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger, nga muaji mars 2020 deri më 24 mars 2021, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë.
Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Florim Krasniqi i cili ka krijuar laboratorin për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, në role të ndara si anëtarë të grupit kriminal përmes të pandehurve Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat Murati, Samed Murati, kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin nëpër vende të ndryshme të Evropës.
Në aktakuzë thuhet se përmes Bekim Hasanit kanë dërguar këto dokumente tek qytetarët e ndryshëm, përmes postave të shpejta apo edhe vetë personalisht, ndërsa i akuzuari Taulant Bilalli në bashkëveprim me të pandehurin Florim Krasniqi, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, ashtu që me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme deri në 4 mijë euro për falsifikimin e një dokumenti kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës, fillimisht kanë gjetur shtetas që kanë dashur të migrojnë në vendet e ndryshme si Rumani, Itali, Francë, Mbretëri të Bashkuar, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Spanjë, etj.
Tutje në aktakuzë thuhet se pas sigurimit të lëndës së parë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, kanë bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e dokumenteve të falsifikuara, (të rrejshme) të udhëtimit ose të identifikimit, leje qëndrime të ndryshme, me qëllim të mundësimit të kontrabandimit me migrantë, në atë mënyrë që fillimisht u kanë marrë të dhënat, kanë prodhuar dokumentet e ndryshme si pasaporta, letërnjoftime, patentë shofer të shteteve të ndryshme si Rumanisë, Italisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Kroacisë, Sllovenisë, Spanjës etj; por dhe dokumente të ndryshme të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Florim dhe Florent Krasniqi, në Prishtinë, në lagien “Arbëria” në objektin “Ambasador” gjatë vitit 2019 e tutje, në vazhdimësi dhe në bashkëveprim me të pandehurit e tjerë, pasi e kanë siguruar lëndën e parë me qëllim të falsifikimit të dokumenteve kanë krijuar një laborator për prodhimin e tyre.
I pandehuri Izet Koplinger, në bashkëveprim edhe me të pandehurit e tjerë me qëllim të përfitimit material në mënyre të kundërligjshme, ka ndërmjetësuar në falsifikimin e dokumenteve të veturës ku çmimet për këtë kanë qenë 2 – 3 mijë euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Sadat Murati dhe Samend Murati, në bashkëveprim edhe me të pandehurit e tjerë, vazhdimisht janë marrë me falsifikimin e dokumenteve, me qëllim të përfitimit për vete, qytetarëve të ndryshëm u ka siguruar dokumente të falsifikuara, me qëllim të kontrabandimit, ashtu që për falsifikimin e një patentë shoferi slloven kanë përfituar shumën prej 250 euro, për përkthimin e një autorizimi kanë përfituar shumën prej 850 euro.
Po ashtu, aktakuza thotë se kanë falsifikuar vërtetimin për COVID-19, për falsifikimin e dokumentit gjerman me vizën e Sllovenisë apo Kroacisë.
Izet Koplinger po ashtu akuzohet për armëmbajtje pa leje. /BetimipërDrejtësi


