Lajme

4 ligje të rëndësishme në Kushtetuese / Kur pritet të merret vendimi?

08/04/2023 14:47
nga:N M

Aktualisht disa ligje që ka miratuar Kuvendi i Kosovës e që sponsorizues është Qeveria e Kosovës ndodhen në Gjykatën Kushteteuse të Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Në organin më të lartë jurdik në vend, janë dërguar nga opozita ligjet si ai për Byronë për Konfiskimin e pasurisë, Ligji për pagat, Ligji për çmimet tavan dhe Ligji për Pagën minimale.

Gazeta Blic ka kontaktaur më zëdhënësin e Gjykatës Kushtetuese se kur mund të ketë një aktgjykim final për ligjet në fjalë.

“Këto kërkesa janë në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata. Sapo të merren vendimet në këtoraste, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët parashtruese dhe opinion”, ka thënë Veton Dula zëdhënës në gjykatën Kushtetuese.

Ndryshe në dy vite, opozita dërgoi ligje në Gjykatën Kushtetuese për të marrë vlerësim edhe nga instanca më e lartë e shtetit.

Dje Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë me dije se ka rrezuar disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë, të cilin e kishte dërguar për shqyrtim opozita

Kushtetuesja njoftoi se anëtaret e kësaj gjykate kanë vendosur se ligji nuk është në përputhje me disa nene të Kushtetutës.

Sipas njoftimit, ligji mund të dekretohet nga presidentja pas ndryshimit të këtyre neneve.

Krahas këtij ligji, Gjykata Kushtetuese para pak dite konstatoi se shkarkimi i tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës është bërë pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në.

Gjykata Kushtetuese tha se për pasojë, në nxjerrjen e këtij vendimi, kuvendi i ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse, dhe për më tepër ka cenuar pavarësinë e RTK-së.

“Për pasojë, në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar, Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse të përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe për më tepër, ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publikë, roli i të cilit është thelbësor për lirinë edhe pluralizmin e medieve në një shoqëri demokratike, në kundërshtim me vlerat e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Ndërsa, dje Gjykata Komerciale vendos në favor të televizionit Klan Kosova – kundër MINT.

Gjykata Komerciale e ka aprovuar ankesën e Klan Kosovës, duke e shtyer vendimin e MINT-it rreth pezullimit të certifikatës së biznesit.

Në arsyetimin e Komerciales, thuhet si vijon:

”I. APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve”.

”II. SHTYHET ekzekutimi i Vendimit nr. 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”.

MARS 2023/ Ligjin që Gjykata Kushtetuese e ktheu si të pavlefshëm ishte edhe ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kjo pasi sipas vendimit të Kushtetueses, bie ndesh me nenet e saj për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

MARS 2022/ Gjithashtu, një vitë më parë Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës ka gjetur se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që drejtohet nga ministrja Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hudhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qendron Kastrati.

Përplasja e ish-Kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, me Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me reformën në arsim, filloi menjëherë pasi Kastrati ndau rrugët me Vetëvendosjen. Çështja e reformës ishte më e përfolura dhe mbase vendimtare, gjatë fushatës zgjedhore, për zgjedhjet komunale në Kamenicë.

NËNTOR 2021/ Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuesja kishte shfuqizuar edhe vendimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Në njoftimin e tyre u tha se Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e 10 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-029], të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në njoftim.

2020/ Në atë kohë, gjykata kishte vlerësuar se vendimi nr. 01/15 të Qeverisë, i marrë me 23 marsit 2020, për kufizimin e lëvizje se qytetarëve ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata kishte konstatuar se kufizimet që përmban vendimi i Qeverisë nuk ishin të “përcaktuara me ligj”, dhe në këtë mënyrë ishin në kundërshtim me Kushtetutën.

MAJ 2020/ Gjykata Kushtetuese kishte thënë se Ministri Vitia shkeli Kushtetutën me karantinimin e Prizrenit. Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar lëndën e Uran Ismailit nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me katër vendime të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kujtojmë se, Ligji për Byron për konfiskimin e pasunisë, Ligji për pagat, Ligji për çmimet tavan dhe Ligji për Pagën minimale janë në proces të shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.