Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka folur për Gazeta Blic, ku ka thënë se ikja e të rinjve është njëri ndër problemet me të cilat po përballen bizneset në Kosovë. Sipas tij, rritja ekonomike këtë vit është e pamjaftueshme.
Rafuna tregon se në cilat aspekte ka ndikuar ikja e të rinjve.
“Ikja e të rinjve ka ndikuar në dy aspekte, aspekti i parë është që e humbim një kuadër të kualifikuar, në të cilën kemi investuar shumë për ta zhvilluar dhe si rezultat paraqet një sfidë për bizneset në mungesë të gjetjes së fuqisë punëtore, dhe aspekti i dytë është se për shkak se ne po e humbim një konsumator”.
Rafuna gjithashtu ka përmendur se disa nga problemet që po përballen bizneset janë ikja e të rinjve, dhe si pasojë e kësaj mungesa e fuqisë punëtore.
“Problem tjetër është sundimi i ligjit, për shembull zgjedhja e lëndëve, konteksteve, mosmarrveshjeve të kontratës. Po ashtu mos reformimi i politikave fiskale, është viti i pestë kur në 2018 është bërë një lirim nga tatami doganor, dhe zbritje nga tatami i vlerës së shtuar, që nga ajo kohë nuk e kemi një freskim të këtyre politikave fiskale”.
Sipas kryetarit të OEK-së qeveria ende nuk e ka një strategji për ndaljen e migrimit në vend.
“Ne shumë herë në paraqitjet tona kemi bërë thirrje që të hartohet sa më shpejt një strategji, që e parandalon ikjen e të rinjve por edhe që e planifikon kthimin e të rinjve që kanë vullnet me u kthy në Kosovë”.
Po ashtu ka folur edhe për numrin e prezantuar nga qeveria, për 400 mijë të punësuar, ku thotë se ky numër është krijuar ndër vite, dhe jo si rezultat i qeverisë Kurti.
“Numri 400 mijë është numër që është krijuar ndër vite, nuk është i mjaftueshëm, dhe ne do të ishim krenarë nëse ky numër do të ishte më i lartë, sepse çdo vitë 20 mijë të rinj, që e përfundojnë fakultetin, hyjnë në tregun e punës. Kështu që nëse i sheh statistiket ne punësojmë shumë më pak sesa na hyjnë të rinj në tregun e punës”.


