Lajme

Largimi i kryetarëve të Veriut me letra / AKK i reagon Qeverisë: Pse duhen nisma të tilla kur janë ligjet në fuqi

08/01/2023 16:20
nga:N M

Qeveria e Kosovës zyrtarisht me letra ka nisur hartimin e një drafti apo iniciativë për t`i larguar nga zyrat e komunave katër kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore të Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Nisma është marrë  nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Por kjo nismë ka ngjallur reagime të shumta qoftë nga partitë opozitare por edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Sazan Ibrahimi drejtori Ekzekutiv në AKK, i ka thënë Gazeta Blic se është e habitshme nisma e Qeverisë së Kosovës përmes një draftimi të një udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve nga komuna, meqë sipas tij, janë disa ligje në fuqi që rregullojnë çështjen se si mund të largohen ose mund të mbahen zgjedhjet e reja në atë pjesë të Kosovës.

“Është shumë i qartë ligji mbi vetëqeverisje lokale sa i përket largimit të kryetarit të komunës me anë të iniciativës qytetare. Nuk e di se përse duhet të hartohet një Udhëzim Administrativ për rregullimin e kësaj çështje. Besojmë thellë që këtë herë, se duke marrë parasysh që po hartohen ligje të cilat po prekin kompetencat e komunave dhe komunat me kryetar nuk po konsultohen fare, MAPL nuk do veprojë si MFTP dhe do i konsultoj komunat dhe kryetarët. Pra, sipas mendimit tim, janë dy ligje të cilat rregullojnë çështjen e iniciativës qytetare për largimin e kryetarit, pra ligji për vetëqeverisje lokale dhe ai për zgjedhje lokale”, tha Ibrahimi për Gazeta Blic.

Më poshtë një pjesë e ligjit për vetëqeverisje lokale ku saktësohet se si mund të largohet një kryetar komune:

Neni 72
Largimi i kryetarit

72.1 Qytetarët e komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës.

72.2 Kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) përqind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit.

72.3 Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet.

Zgjedhjet e reja në Veri|| Valdete Daka: Opsioni i Kurtit përmes peticioni bie me automatizëm, roli i Vjosa Osmanit në këtë proces është Zero

Bajrami: Më dhimbset Lulzim Hetemi, VV’ja dëshmoi që shkelë secilën familje për t’u dukur më pak e dështuar