Përfaqësuesi i Evropës i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, (Committee to Protect Journalists – CPJ), Attila Mong, ka bërë të ditur se organizata e tij po e ndjek me vëmendje situatën në lidhje me pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
Ai madje thotë se kjo gjendje është shqetësuese derisa për Zërin e Amerikës potencoi se se kjo është një masë ekstreme, përcjell klankosova.tv.
”Jemi të shqetësuar sepse sepse është hera e parë në historinë e vendit që një certifikatë biznesi e një televizioni është në rrezik ose pezullohet në një mënyrë të tillë. Ne mendojmë se heqja e certifikatës së biznesit për një media, që mund të çojë në heqjen e licencës së transmetimit është një masë ekstreme dhe duhet të merret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme”, tha ai.
Attila Mong tha se Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve shpreson që kjo çështje të zgjidhet pa rrezikuar pluralizmin e medias në Kosovë.
Mong iu përgjigj edhe një argumenti të qeverisë se “Ligji është njëlloj për të gjithë”, duke theksuar që ajo qëndron, por se këtu bëhet fjalë për një media të rëndësishme në Kosovë.
”Çdo shkelje rregullatore në lidhur me një media, dhe jo vetëm në Kosovë duhet të trajtohet në mënyrë proporcionale. Dhe revokimi ose heqja e licencës së organit të medias, duhet të jetë hapi i fundit. Ka ende mjete ligjore që televizioni mund t’i përdorë dhe ky lloj kërcënimi (ndaj medias) duhet të shmanget. Heqja e licencës së një televizioni duhet të jetë realisht zgjidhja e fundit dhe duhet zbatuar në mënyrë proporcionale”.


