Kosova ka arritur dje një fitore të madhe ndaj Zvicrës në kualifikimet për Eurobasket 2025 duke fituar me rezultat 72-76.
“Dardanët” tani janë në pozitën e parë në grupin H, kurse me 5 gusht do të përballen me Danimarkën.
Ish basketbollisti kosovar, Naim Hajrizi gjatë një prononcimi në “GazetaBlic Sport” ka thënë se fitorja e djeshme ishte e pritshme pas performancës së parë ndaj Danimarkës.
“Kjo fitore është pritur pas lojës ndaj Danimarkës, Kosova pati paraqitje të mirë edhe në atë ndeshje. Loja e djeshme ishte shumë e mirë, kundër një ekipi solid. Trajneri kishte analizuar mjaft mirë kundërshtarin. Ndeshja kishte disa vështirësi dukej se lojtarët po mendonin për ndeshjen e ardhshme ndaj Danimarkës, mirëpo eksperienca dhe angazhimi maksimal e bëri diferencën në fund. Trajneri e kontrolloi ndeshjen shumë mirë duke iu dhënë hapsirë lojtarëve”, tha fillimisht Hajrizi.
“Danimarka është një ekip shumë e fortë, edhe pse ndeshjen e parë me pak fat Kosova ka mundur të fitoi. Do të jetë një ndeshje e vështirë, përparësi e Danimarkës mund të jetë lojtari i pozitës së qendrës, i cili kishte një forcë tipike për një qendër. Tek ne mungon një lojtar i tillë, besoj që vija e jashtme do të jetë e suksesshme dhe trajneri është aq i mirë që besoj që do ta përgatit lojën në atë mënyrë që të dalin me fitore”, shtoi ai për ‘GazetaBlic Sport‘.
“Duhet ta mposhtim Danimarkën, ne duhet të kemi një lojë të mirë, trajneri është një strateg i madh dhe besoj që do të bëjë një taktikë që do të ushtroj presion mbi lojtarin e qendrës së kundërshtarit. Shpresoj që do t’ia arrijmë qëllimit të fitojmë këtë ndeshje dhe që më pas edhe të kualifikohet në kualifikimet e kampionatit Evropian”, përfundoi Hajrizi.
/GazetaBlic Sport/


