Lajme

Haziri pas suspendimit nga puna të gazetarit të RTK-së: Me porosi të pushtetit të Kurtit, vetëm pse ishte kritik!

07/29/2023 20:39
nga:Y I

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas suspendimit që RTK-ja i ka bërë gazetarit  nga Gjilani, Asdren Agushi.

Haziri thotë se ai është suspenduar nga puna me porosi të pushtetit të Albin Kurtit vetëm pse Agushi ka qenë kritik.

Haziri thotë se është tentim skandaloz që t’i mbyllet goja gazetarëve dhe rrjedhimisht të ngulfatet fjala e lirë.

“Lëkundjet dhe trandjet e pushtetit me mendësi autoritare hetohen kur tentojnë t’i disiplinojnë gazetarët, me metoda të vjetra. Suspendimi nga puna me porosi të pushtetit të Albin Kurtit nga nga menaxhmenti i RTK-së (Radio Televizioni i Kurtit) për gazetarin Asdren Agushi, veç pse ky i fundit ka qenë kritik, është skandaloz dhe tentim për t’ua mbyllur gojën gazetarëve dhe rrjedhimisht, ngulfatjen e fjalës së lirë. Agushi ka qenë kritik i të gjitha pushteteve, madje i ashpër në disa raste edhe ndaj meje. Por, deri sot nuk është penalizuar asnjëherë. Në mbështetje të Asdrenit dhe të gjithë gazetarëve të Kosovës sa herë që përballen me presione e linçime. Karshi pushteteve, gazetarët kanë gjithmonë të drejtë” shkruan Haziri në reagimin e tij, raporton Gazeta Blic.

Të premten në profilin e tij Asdren Agushi ka thënë se pas punës 7 vjeçare si gazetar dhe korrespodent, është suspenduar nga puna në RTK.

Ai ka thënë se arsyetimi që i është dhënë vetëm arysetim nuk është dhe se arsyeja kryesore është se i njëjti ka qenë kritik ndaj pushtetit.