Dje, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë vendim për pezullimin e çertifikatës së televizionit Klan Kosova.
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic”, gazetari nga Maqedonia e Veriut, Xhelal Neziri.
Neziri tha se kjo që po ndodh me rastin e Klan Kosova është diçka që ka ndodhur më herët në Maqedoninë e Veriut me rastin e televizonit A1 në vitin 20011.
Ai tha se me mbylljen e këtij televizioni nisi instalimi i një regjimi autoritar.
“Për mua është diçka e parë kjo që po ndodh me median në Kosovë, më konkretisht me tentimin për mbylljen e Klan Kosovës. Në vitin 2011 në Maqedoninë e Veriut u mbyll televizioni më me ndikim A1 bashkë me tri gazeta. Institucionet gjetën parregullsi në bërjen e biznesit, por arsyeja kryesore në fakt ishte politike. Regjimi i atëhershëm i Nikolla Gruevskit kërkonte pushtet absolut dhe kontroll të tërësishëm të mediave. A1 nuk iu nënshtrua dhe gjeti bazë për ta mbyllur. Nga këtu nisi edhe instalimi i një regjimi autoritar, i cili mezi u ndërrua në vitin 2016, pas një krize të rrezikshme politike dhe të sigurisë”, tha Nezi për “Gazeta Blic”.
Neziri shpreson që rasti i Maqedonisë së Veriut, me televizionin A1, të mos ndodhë edhe në Kosovë.
Ai tha se mbyllja e një medias është goditje e rëndë për demokracinë.
“Kjo shpresoj të mos ndodhë në Kosovë. Institucionet duhet të bëjnë dallimin midis medias, që paraqet një biznes privat në interes publik, dhe të kompanisë që qëndron pas një medie. Gjoba ndaj një kompanie që mbase nuk ka respektuar ligjet nuk duhet të jetë mbyllja e medias. Mbyllja e një medie është goditje e rëndë ndaj demokracisë”
Tutje gazetari nga Shkupi potencoi se nëse ky televizion mbyllet, Kosova do të shënojë rënien më të madhe të lirisë së medias.
“Nëse ky operacion realizohet, atëherë Kosova të shënojë rënien më të madhe të lirisë së medias. Më pas kjo do të prodhojë edhe rënie në kualitetin e demokracisë në përgjithësi, sidomos në zbatimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Pa media të lira opinioni publik do të formohet sipas agjendave dhe interesave konkrete të pushtetit kurse zgjedhjet do jenë një formalitet, rezultati i të cilave do të dihet shumë kohë para se të mbahen.Megjithatë, unë besoj qytetarët në Kosovë e dinë se çka është liria e me sa sakrificë fitohet, andaj do të dijnë si ta mbrojnë”, tha Neziri për “Gazeta Blic”.

Xhelal Neziri, Gazetar nga Maqedonia e Veriut
Në lidhje me rastin e Klan Kosova, ka reaguar gjatë ditës së sotme edhe kryeministri i vednit, Albin Kurti.
Kurti në reagimin e tij ka thënë se zbatimi i rregullave nuk kërcënon pluralizmin mediatik.
“Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, ka theksuar Kurti, raporton Gazeta Blic.
/Gazeta Blic/


