Njohësi i integrimeve evropiane dhe zhvillimeve ekonomike, Agron Hoti, ka reaguar pas vendimit të djeshëm të MINT-it për refuzimin e ankesës së Klan Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit.
Hoti pyeti pushtetin se a më mirë të mbyllej Klan Kosova apo të lejoheshin mbi 400 milionë euro mallra nga Serbia brenda një viti, që sipas tij, këto mallra po futen në Kosovë si kurrë më parë.
“A më mirë të mbyllej Klan Kosova apo: të largoheshin të gjitha mediat serbe të regjistruara në Beograd e që operojnë pa asnjë problem në Kosovë?!”
“Të përjashtohej Lista Serbe nga Kuvendi dhe Qeveria, ngase ajo po na e sfidon tërë shtetin; Agim Veliu qe shkarkuar për një fjalë goje, kurse Lista Serbe po na bën dëm me miliona herë më shumë dhe askush s’po e shkarkon përkundrazi po koordinohet pushteti me të siç doli edhe në përgjimet e Skandalit Zdravo?!”
“Të largoheshin nga institucionet e Kosovës një armatë e tërë UDB-ashësh, të cilët në këtë pushtet kanë kapur majat e tij dhe që po vazhdojnë të mbjellin frymë anti-UÇK si dhe po bëjnë të pamundurën për ta dështuar shtetin e Kosovës?!”, shkroi Hoti.
Tutje, ai pyeti se a më mirë të mbyllej Klan Kosova, apo të largohej elektroseveri serb, për të cilin tha se po e kontrollon rrymën në veri, teksa shtoi se ishte pikërisht Qeveria Kurti që ia dha me shkrim rrymën elektroseverit serb në veri.
“A më mirë të mbyllej Klan Kosova apo: t’u paguheshin miliona euro serbëve të veriut për shpenzimin e rrymës atje; nëse ky pushtet ka premtuar ndryshimin e madh, atëherë do të duhej ta ndalte këtë praktikë e jo t’i imitonte pushtetet e kaluara?!”
“Të blente ky pushtet rrymë prej Serbisë siç vazhdon të blejë edhe sot me Martin Berishajn në krye?!”
“Ta pranonte ky pushtet Marrëveshjen e Ohrit me Zajednicën e rritur në Samoupravnicë?!”, tha tutje Hoti.
Më tej, Hoti pyeti se a më mirë të mbyllej Klan Kosova, apo t’i shfuqizonte në kuvend të gjitha marrëveshjet me Serbinë, të cilat tha se pushteti aktual sa ishte në opozitë i quante antikombëtare.
“A më mirë të mbyllej Klan Kosova apo: t’i dërgonte ministrat në Beograd për të nënshkruar atje projekte të përbashkëta infrastrukturore me Serbi?!”
“Ta fuste në tavolinë të bisedimeve me Serbinë edhe çështjen e Luginës së Preshevës, me të cilën asnjëherë s’u mor?!”
“Ta fuste Kosovën nën sanksione të Perëndimit si askush kurrë më parë? “
“T’i mbështeste e asesi luftonte mediat, ngase ishin pikërisht mediat ato që e ndihmuan më së shumti ardhjen në pushtet të këtij pushteti?!”
“Të merrej me 1000 punë tjera më të nevojshme e më të rëndësishme për zhvillimin e vendit për t’ua mbyllur kështu mediave gojën me punë dhe vetëm punë, e jo me dry pushtetar?!”, tha ai.
Hoti tha se asnjë nga pikat e lartpërmendura s’i ka bërë Klan Kosova, teksa pyeti se “a mos po bëhet e tëra kjo si shpërqendrim vëmendjeje përballë Zajednicës në ardhje?”.


