Tetë organizata të shoqërisë civile në Kosovë, anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN), kanë dënuar “fuqishëm vendimin e fundit të Komisionit të Ankesave i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për mbylljen e Kompanisë Tregtare “Klan Kosova” Sh.PK, një medium i pavarur”.
Në reagimin e tyre thuhet se Kushtetuta e Kosovës dhe legjislacioni në fuqi garantojnë lirinë e mediave në Kosovë.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës cenon vlerat thelbësore të Kushtetutës së Kosovës dhe është qartazi një sulm institucional ndaj demokracisë dhe fjalës së lirë. Një qasje e tillë është e papranueshme dhe është në kundërshtim me vlerat dhe parimet e shoqërive demokratike”, thonë këto OJQ.
Rrjeti për të Drejtat e Njeriut i ka bërë thirrje gjyqësorit “që në një proces të pavarur dhe të drejtë gjyqësor të miratojë ligjshmërinë në rastin Klan Kosova dhe të rivendosë vlerat demokratike”.
HRN më tutje u bën thirrje të gjithë aktivistëve, qytetarëve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar “që të qëndrojnë dhe të ngrenë zërin kundër vendimeve arbitrare të Qeverisë së Kosovës”.
#FreeMediaSTOPDictatorship
Organizatat në fjalë janë: Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS, Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Iniciativa e Re Sociale (NSI), Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).


