Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve ka folur për Anketën e Pulsit Publik, të publikuar nga UNDP, ku raportoi se 82.19% e qytetarëve të Kosovës nuk janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të vendit.
Shahini në një prononcim për GazetaBlic tha se ky raport është kontradiktor dhe në kundërshtim me numrin e votuesve.
“E kam lexuar këtë përceptim dhe kjo është në kundërshtim të madhë me numrin e votuesve që janë 50%. Kjo është shumë kontradiktore se çfarë po ndodhë në Kosovë”, tha ai.
Por, sipas Shahinit nëse një raport i tillë është i vërtetë atëherë Kosova është në gjendje të rëndë ekonomike.
“Nëse e marrim se kjo është e vërtetë, atëherë neve na del që vërtetë Kosova është në gjendje të rëndë ekonomike, sociale dhe politike. 80% duhet të ndryshohet politikat aktuale që janë të zbatueshme, për t’u ndryshuar të gjitha këto politika vërtetë është një mund i madh dhe është një sakrificë e madhe”, tha Shahini.
Shahini thotë se për të dal nga kjo gjendje, duhet të bëhen reforma të mëdha.
“Ne e vlerësojmë që në Kosovë është gjendja e rëndë, por nuk besojmë që 80% është e rëndë siç po parashkruhet. Duhet të bërë reforma dhe ndryshime të mëdha në aspekt ekonomik dhe politk”, tha Shahini për GazetaBlic.
Kujtojmë se, Koordinatori i Departamentit për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se Anketa e Pulsit Publik, publikuar nga UNDP, raporton se 82.19% e qytetarëve të Kosovës nuk janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të vendit.
“Nga qytetarët e anketuar, 74.6% kanë listuar papunësinë, varfërinë, rritjen e çmimeve dhe çmimet e produkteve bazë si problemet kryesore me të cilat ballafaqohet vendi. Këto të dhëna paraqesin një ilustrim faktik të dështimit të kësaj qeverie për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës dhe nevojën urgjente që qeveria ta kthej vëmendjen drejtë ofrimit të zgjidhjeve për problemet kyçe me të cilat ballafaqohen qytetarët”, ka shkruar Mustafa.
Më tej, ai ka thënë se përveç se janë të shqetësuar me papunësinë e lartë që po mbretëron në Kosovë, qytetarët janë shprehur shumë të pakënaqur edhe për sa i përket punësimit në baza meritore në sektorin publik.
“Rezultatet e anketës tregojnë se 78% e qytetarëve besojnë se punësimi në sektorin publik nuk bëhet në baza meritore. Prandaj, bazuar në rezultatet e këtij publikimi, lirisht mund të konstatohet se me këtë qeveri nuk ka as punësim e as drejtësi në punësim”, ka përfunduar ai.


