Lajme

“Tre arsyet pse qeveria Kurti po kërkon zgjedhje në veri përmes peticionit”

07/26/2023 19:26
nga:Y I

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar sot pas mbledhjes së Qeverisë se në katër komunat veriore mund të shkohet në zgjedhje me anë të peticionit.

Krasniqi ka përmenduar Ligjin për vetqeverisje lokale ku mund të bëhet një peticion në të cilin duhet të marrin pjesë 20% e trupës votuese në atë komunë.

“Ligji për vetqeverisje lokale e preçizon se kur një kryetar e humb mandatin ose se si një kryetari mund t’i merret mandati. Ju e dini që kjo mund të bëhet edhe përmes kërkesës së qytetarëve, përmes një peticioni ku në të duhet marrin pjesë së paku 20% e trupës votuese në atë komunë. Pastaj kjo i dërgohet Komisionit Qëndror Zgjedhor për verifikim dhe pastaj KQZ-ja mund ta organizojë edhe referendumin në të cilin do të jetë e parashtruar pyetja “A duhet të shkarkohet kryetari i komunës? dhe në këtë situatë duhet të marrin pjesë së paku 50% e trupës votuese plus 1. Kjo është baza ligjore e cila buron prej ligjit për vetqeverisje lokale dhe mbi të cilën unë kam komptencë që te therras. Te tjerat pastaj janë në përgjegjësinë e KQZ-së”, tha Krasniqi raporton Gazeta Blic.

Por, ish-kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se përveç peticionit ka edhe mënyra të tjera për të shkuar në zgjedhje.

Baraliu ka thënë se kjo mund të bëhet përmes shkarkimit ose dorëheqjes së kryetarëve ekzistues.

Ai tha për “Gazeta Blic” se për të shkuar në zgjedhje me anë të peticionit kërkon procedurë.

“Përveç peticionit ka edhe mënyra të tjera pra përmes dorëheqjes ose shkarkimit të kryetarëve ekzistues. Siç kanë dhënë ata para tyre në nëntor mund të japin edhe këta, kjo mënyrë është mënyrë më e lehtë dhe më e shpejtë dhe më pak zvarritëse. Sepse ajo tjetra (me peticion) kërkon procedurë, nuk është mirë të vendosin kushte këta zotërinjtë as tanët as ndërkombëtarët.Po nëse janë pajtu në Bratisllavë atje kryenegociatori Besnik Bislimi me Lajçak atëherë ishte dashur që të ketë zgjedhje dhe ato nuk paraqesin problem për Qeverinë e Kosovës, atëherë duhet të parë cila është mënyra më e shpejtë dhe më efikase. Më e shpejt dhe më efikase për të deeskaluar dhe për të parë atje një palë zgjedhje me të cilat do të ishin të kënaqur të gjithë, atëherë është mirë që mos të zvarritet procesi”

“Ai procesi në bazë të ligjit për vetqeverisje lokale ku duhet 20% i trupit elketoral të deklarohet permes peticionit, ajo është një procedurë ku fillimisht është pikpyetja a duan apo sduan dhe a guxojnë apo jo ata qytetarë atje, 20% i tyre, të cilët janë të shantazhuar nga Beogradi, shumica e tyre”

Baraliu dha tre arsye pse po insistohet të shkohet nga Qeveria, në këtë formë, në zgjedhje.

Ai tha se kjo po bëhet për të fituar kohë, zvarritur procesin dhe kinse ruajtjen e dinjitetit të kryetarëve aktual.

“Nuk e di pse po insiston që në këtë lloj forme të shkohet në zgjedhje Qeveria por kjo nënkupton zvarritje të procesit, fitim të kohës dhe ruajtje kinse të dinjitetit që mos t’i detyrojnë ata njerëz me dhanë dorëhqjen. Por nuk është ndonjë mëkat nëse ata japin dorëheqjen, nuk iu imponohet, dorëheqja është akt personal i secilit kryetar por edhe politik për ta stabilizuar një problem” tha Baraliu në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se dorëheqja dhe peticioni janë mjete të rregullta ligjore.

Burjani tha se dorëheqja duhet të bëhet me vullnetin e tyre të plorë,  jo me presion.

“Dorëheqja e kryetarëve, ose peticioni, këto jane mjete të rregullta ligjore, por edhe forma të jashtzakonshme, të cilat mund të ndodhin si të papritura që e bejnë kryetarin të pamundshëm të ushtrojë detyra”

“Nëse kërkohet dorëheqja e tyre është proces i kontestueshem ne aspektin ligjor dhe kushtetues, dorëheqja duhet të ndodhe me vullnetin e plote te tyre, por jo me kercënim apo presion. Kjo nuk eshte as demoratike e as ligjore” tha Burjani për “Gazeta Blic”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës nuk mund të zhvillohen pa u shtensionuar situata në atë zonë.

Ai shtoi se Kosova është duke i kryer përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në këto katër komuna.

“Nuk besoj që dikush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të ketë zgjedhje në veri, por natyrisht që ne e vazhdojmë punën edhe më tutje. Ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme”, tha Kurti, raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Kurti: Nuk mund të ketë zgjedhje para se të shtensionohet situata në veri