Pesë ministra dhe një zëvendësministre të Qeverisë Kurti po hetohen nga Task Forca e Policisë së Kosovës.
Ministrat që po hetohen nën dyshimin për korrupsion janë Donika Gërvalla, Hajrulla Çeku, Liburn Aliu, Elbert Krasniqi, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministrja e Gërvallës, Liza Gashi.
Lidhur me këto hetime, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Gazeta Blic se është herët të paragjykohet përfshirja e ministrave në afera korruptive, derisa rastet janë nën hetim në fazë të hershme.
“Përderisa rastet që janë duke u hetuar nga Task Forca kundër korrupsion janë në një fazë të hershme të procedurës parapenale është herët për të paragjykuar integritetin ose përfshirjen e ministrave të Qeverisë Kurti në afera korruptive për këto raste respektive”, thotë ai.
Por, Miftaraj thotë se IKD ngjall dyshime për largimin e shefit të Task Forcës kundër Korrupsion në kohën kur po trajtoheshin këto raste kundër ministrave dhe se ka dyshime për një lloj hakmarrje institucionale ndaj Shemsi Hazirit, lidhur me punën e tij profesionale.
“Sidoqoftë, për IKD ngjall dyshime mënyra se si është larguar shefi i Task Forcës kundër Korrupsion nga ky funksion dhe në kohën kur ky mekanizëm është duke i trajtuar rastet kundër 5 ministrave dhe një zëvendësministri. Padyshim se kjo qasje ngrit dyshime për një lloj hakmarrje institucionale ndaj z. Shemsi Haziri lidhur me punën e tij profesionale”, deklaron Ehat Miftaraj.
Ndryshe, Haziri u shkarkua me datën 8 të këtij muaji./Gazeta Blic/


