Sporti

Sfida me Atletic d’Escaldes, Partizani shton “armët” për Conference League

07/23/2023 23:24
nga:L J

Partizani po përgatitet për ndeshjen e parë të turit të dytë të Conference League ndaj Atletic Club d’Escaldes (Andorra). Kampionët e Shqipërisë do të zhvillojnë takimin e parë në transfertë (25 korrik), ndërkohë që një javë më vonë zhvillohet sfida e kthimit në Tiranë.

Trajneri Zoran Zekic do të ketë një “armë” më shumë në skuadrën e tij për duelet me Atletic Club d’Escaldes. Edhe pse ende nuk është publikuar lista zyrtare e lojtarëve të federuar për këto ndeshje, Supersport mëson se bashkë me skuadrën ka udhëtuar dhe Gjelbrim Taipi, një nga prurjet e verës, gati për të debutuar me të kuqtë që në këtë takimin e radhës.

Taipi ishte një nga afrimet më të bujshme të Partizanit. “Demat” firmosën me ish-kapitenin e Kukësit, i cili në sezonin e shkuar arriti që të shënonte 5 gola. Partizani u eliminua nga Bate Borisov në raundin e parë të Champions League.

Ndërkohë që kampionët janë të fokusuar te Conference League, ku synojnë që të kenë një rrugëtim sa më të gjatë. Dhe pse jo të bëhen e para skuadër nga kampionati shqiptar që merr pjesë në grupet e këtij kompeticioni./ss