Lajme

Beqiri: Ligji për arsim parauniversitar gjen pak zbatim te personat me aftësi të kufizuara

07/21/2023 18:48
nga:Mergim Rreci

Sebahate Beqiri nga Down Syndrome Kosova vlerëson se në vendin tonë legjislacioni nuk po gjen zbatim të plotë në terren dhe se kjo shkakton sfida për persona me aftësi të kufizuara dhe për familjet e tyre.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ajo po asht përmendi edhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili garanton arsimimin e nxënësve me aftësi të kufizuara brenda shkollave të rregullta, gjithashtu garanton edhe shërbime në baze të nevojave të fëmijëve në shkolla të rregullta.

“Ne e dimë se me sa sfida ballafaqohen fëmijët me aftësi të kufizuara, e po ashtu edhe prindërit e tyre. Edhe pse këto vitet te fundit është punuar në rritjen e numrit të asistentëve për t’i përcjellë fëmijet brenda shkollave të rregullta, por ata kanë nevojë edhe për profile tjera, siç është psikologu, pedagogu e mësuesi mbështetës, dhe nëse e shohim numrin e fëmijëve që janë të kyçur nëpër shkollat e rregullta në raport me stafin profesional, përfshirë këtu asistentë e numrin e paktë të psikologëve, me të vërtetë është një numër mjaft i vogël në raport me numrin e fëmijëve që i kemi”.

Beqiri shtoi se edhe legjislacioni që është në fuqi mjaft mangësi, duke theksuar se ende s’kemi një ligj që mbështet fëmijën me aftësi të kufizuara prej moshës zero, edhe pse shumë diagnoza të aftësisë së kufizuar identifikohen qysh në lindje.

“Nuk e kemi një koordinim të mirë mes institucioneve. Fillojnë shumë iniciativa, të cilat nuk përfundojnë deri në fund”, tha Beqiri.