Sulmuesi Neymar, 31-vjeçar, i cili tashmë ka qenë pjesë e para-sezonit të PSG-së, theksoi se do të qëndrojë në klub, pavarësisht thashethemeve që prej kohësh qarkullojnë për largimin e tij, pavarësisht se ka kontratë deri në vitin 2025.
“Shpresoj të qëndroj në PSG. Unë kam një kontratë dhe askush nuk më informoi për asgjë. Edhe nëse nuk ka shumë dashuri mes meje dhe fansave, do të jem aty, me apo pa dashuri”, ka thënë ai për kanalin në YouTube ‘CazéTV’.
Kujtojmë se tashmë tifozët kanë pasur disa protesta publike kundër Neymar, madje kanë protestuar edhe në rezidencën e lojtarit.
Në një intervistë tjetër, me transmetuesin Casimiro, në YouTube, ndërkombëtari brazilian supozon se ishte afër largimit nga kombëtarja pas Botërorit 2022, në të cilin ‘Canarinha’ u eliminua në çerekfinale, kundër Kroacisë, në penallti.
“Sinqerisht, nuk doja të kthehesha. E mendova sepse nuk doja ta kaloja përsëri atë dhimbje. Ishte si një varrim, secili duke qarë pranë tjetrit. Ishte e tmerrshme, një ndjenjë që nuk dua ta kaloj më”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


