Lajme

Protestuesit në Irak sulmojnë ambasadën e Suedisë për djegien e Kuranit

07/20/2023 10:19
nga:Mergim Rreci

Protestuesit e zemëruar nga djegia e një kopje të Kuranit në Stokholm sulmuan ambasadën suedeze në Bagdad herët këtë të enjte, duke hyrë në kompleksin e ambasadës dhe duke ndezur një zjarr të vogël.

Videot në internet shfaqën demonstruesit duke valëvitur flamuj dhe tabela që tregonin klerikun me ndikim shiit irakian dhe udhëheqësin politik Muqtada al-Sadr. Ministria e Jashtme suedeze tha se i gjithë stafi ishte i sigurt.

Videot treguan dhjetëra burra duke u ngjitur mbi gardhin në kompleks dhe disa dukej që po ndiznin një zjarr të vogël, shkruan The Guardian.

Suedia e quajti sulmin ndaj ambasadës një shkelje serioze të konventës së Vjenës dhe u bëri thirrje autoriteteve irakiane që të “mbronin misionet diplomatike dhe stafin”.

Ministria e Jashtme e Irakut dënoi sulmin dhe tha se do të kryente një hetim urgjent “për të zbuluar rrethanat e incidentit dhe për të identifikuar autorët e këtij akti dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës sipas ligjit”.

Policia irakiane përdori topa uji për të shpërndarë demonstruesit larg ambasadës, ndërsa forcat e sigurisë të armatosura me shkopinj elektrike ndoqën protestuesit, tha një fotograf i AFP në vendngjarje.

Disa protestues kishin ngritur në ajër kopje të Kuranit, ndërsa të tjerë mbanin portrete të Sadrit./REL/