Lajme

BE nuk heq masat ndaj Kosovës, kritikohet nga analistët: Lajçak e Borrell të njëanshëm – masat të hiqen

07/19/2023 20:40
nga:G B

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, është shprehur i habitur për veprimin e BE-së për mos fillim të procedurave për largim të masave ndaj Kosovës që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Bratisllavës mes Bislimit dhe Lajçakut.

Kështu u shpreh ai në një konferencë pas takimit me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, me të cilin mbajtën takime ndaras ai dhe Petkoviq, ndërsa që Bislimi tha se Lajçak nuk e kishte parë të arsyeshme që të mbahet takimi trepalësh.

“Për ne ka qenë e qartë se kjo është mënyra e tërheqjes së masave të BE-së që janë vendosur ndaj Kosovës, dhe për ne është habi se edhe tetë ditë pas dakordimit ende nuk kemi një letër sqaruese nga Borrell që të kërkojë largimin e masave nga Komisioni Evropian”, tha Bislimi.

Ndërsa, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se me Bislimin dhe Petkoviqin kanë biseduar për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së 27 shkurtit dhe de-përshkallëzimit të situatës në Veri.

Ai ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.

Lidhur me takimet e tyre dhe deklaratën e Bislimit se është i habitur pse BE ende nuk ka nisur procedurat për heqjen e masave ndaj Kosovës, për Gazeta Blic kanë folur analistët.

Njohësi i çështjeve politike, Gazmir Raci, thotë se Kosova i është kthyer dialogut dhe zbatimit të planit për deeskalim të situatës, andaj BE duhet menjëherë t’i heqë masat e njëanshme ndaj Kosovës.

“Natyrisht se tashmë Kosova i është kthyer përsëri dialogut dhe zbatimit të planit të Bratisllavës për deeskalim të situatës në veri të vendit. BE duhet të heq menjëherë ato masa të njëanshme që vendosi ndaj Kosovës e jo edhe ndaj Serbisë. Kosova vazhdon të jetë partner serioz dhe i sinqertë për BE në Ballkanin Perëndimor”, deklaron Raci për Gazeta Blic.

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, thotë se Lajçak dhe Borrell janë të njëanshëm dhe se ata ende nuk kanë paraqitur kërkesë që të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës.

“Lajçak është një politikan sllovak që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ai është kundër shtetit të Kosovës dhe qëndron në anën e shtetit serb. Këtë e kanë deklaruar shumë eurodeputetë në Komisionin e PE për punë të jashtme dhe edhe deputetë të shteteve nacionale. Në Austri, në Zvicër, në Gjermani u kritikua pozita pro-serbe e z.Lajçak. Ndërsa, nga Zvicra u quajtën masat ndëshkuese ndaj Kosovës: “Masa të z.Lajçak”. Kudo është theksuar se z.Lajçak është i njëanshëm. Është, pra, në anën e shtetit serb dhe se edhe punën po e bën në llogari të shtetit serb. Kjo, po shihet edhe tash. Disa ditë pas Marrëveshjes së Bratisllavës me BE-në të Kosovës për deeskalimin e gjendjes në veri të Kosovës nuk është paraqitur raport nga z.Lajçak në Komisionin kompetent dhe as në vet Komisionin e BE-së.  Nuk është kërkuar as heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës”, thekson Kelmendi për Gazeta Blic.

Sipas tij, Lajçak duhet të largohet nga detyra ndërmjetësuese dhe se ai bashkë me Borrellin janë kundër Kosovës.

“Fakt më i qartë për politikën pro-serbe se kjo gjendje nuk ka. I takon Komisionit të BE-së dhe Kryetares së Komisionit, z.Ursula von de Leyn, që të ndërmerr masa konkrete. Z.Lajçak duhet larguar nga detyra ndërmjetësuese. Ai është palë e njëjtë në dialog si vetë Vuçiç. Dhe, këtë politikë po e toleron edhe z.Borrell. Kjo, për faktin se as z.Borrell nuk është për pavarësinë e Kosovës. Kurrë z.Borrell në pozitën e komisionerit të BE-së nuk e ka vlerësuar Kosovën në shtet të pavarur. Për z.Borrell nuk ka Kosova status të zgjedhur. Këtej shihet se të dy këta janë jo korrekt me Kosovën”, potencon ai.

Profesori shton se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës vijnë nga Borrell e Lajçak dhe se ata janë të afërt me shtetin serb.

“Në fakt, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës vijnë nga z.Borrell dhe Lajçak. Të dytë patën kërkuar ndëshkimin e Kosovës. Mirëpo, as Borrell dhe as Lajçak nuk kërkuan edhe ndëshkimin e Serbisë për veprimet kriminale që i ndërmori shteti serb në veri të Kosovës. U plagosën nga kriminelët serbë 40 ushtarë të KFOR-it u sulmuan dhe u plagosën policë të Kosovës edhe gazetarë. U bë dëm i madh nga vandalizmat e kriminelëve. Dhe, z.Borrell dhe z.Lajçak nuk kërkuan masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Thjesht: afrim total me shtetin serb. Natyrisht se BE duhet të veprojë. Kërkohet që të largohen këta të dy nga detyra e ndërmjetësimit midis Kosovës dhe Serbisë. Me vite ndërmjetësojnë z.Borrell dhe z.Lajçak dhe kurrë nuk patën suksese në dialog midis Kosovës dhe Serbisë. Vetë kjo tregon se këta janë duke punuar vetëm për kohë. BE do paqe. E kjo realizohet në Ballkan vetëm pa z.Borrell dhe z.Lajçak”, deklaron Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/

Bislimi: Jemi të habitur që Borrell ende nuk kërkoi largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës

S’ka rezultate, Lajçak: Diskutimet do të vazhdojnë