Lajme

Halimi: Kurti dhe Vuçiq t’i thërrasin mendjes, ta zbatojnë marrëveshjen e Ohrit

07/19/2023 18:39
nga:Mergim Rreci

Drejtori Ekzekutiv në Institutin për Studime Evropiane dhe Globale, Jeton Halimi, ka thënë se shumë shpejt mund të ketë një takim në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka theksuar se së fundmi nuk ka pasur takime mes tyre për shkak të situatës së krijuar në veri të Kosovës.

“Ata kanë u kanë dhënë hapësirë Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit për të bërë negociata, por shumë shpejt mund të ketë takim mes tyre”, është shprehur Halimi në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Duhet qenë shumë të matur për çështjen e Mitrovicës. Çdo gabim na kushton. Duhet thirrur mendjes edhe Kurti edhe Vuçiq që të ulen dhe të bisedojnë dhe ta zbatojnë marrëveshjen e Ohrit dhe të shkojnë më tutje”.

Halimi e ka quajtur lëvizje të mirë zvogëlimin e policisë në komunat veriore për 25 përqind sepse sipas tij ka dhënë mundësi për qetësim të situatës.

“Veriu është vatër krize që përdoren në vazhdimësi nga Serbia ndërsa në Kosovë ka politikanë që asaj i prijnë për të keq”.