Sporti

Komentatori Loxha: Kosova ka gjasa shumë të mira ndaj Zvicrës, kundërshtari është në nivelin e ‘Dardanëve’

07/19/2023 16:46
nga:Mergim Rreci

Kosova do të përballet sonte me Zvicrën në njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në vitet e fundit në basketboll.

Dardanët përballen me ‘Nati-n’ në kuadër të Rrethit të Tretë Parakualifikues për Eurobasket 2025, atje ku ka optimizëm të madh për një rezultat sa më pozitiv.

Komentatori i njohur kosovar, Arbër Loxha tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se Zvicra është pak a shumë një kundërshtar në nivel të Kosovës dhe se ‘Dardanët’ kanë gjasa të mira për të fituar.

“Kosova e ka zgjedhur një 12-she të balancuar, atje ku do të fokusohet tek një lojë kundërsulmuese, pasi që shumica e basketbollistëve janë lojtarë që mbulojnë pozitat 1, 2 dhe 3. Ndërkohë, siç e dimë, tradicionalisht ne kemi mungesë për pozitat 4 dhe 5. Zvicra është një skuadër për nga kualiteti pak a shumë në nivelin që kemi edhe ne dhe mendoj që Kosova i ka gjasat shumë të mira për këtë takim. Trajneri Rami Hadar e ka dëshmuar tek Peja që dëshiron shpejtësi dhe mobilitet shumë të mirë të skuadër, ky reflektim do të jetë edhe tek Kosova“, tha fillimisht ai.

“Tek Zvicra kanë lojtarë pak më të gjatë në aspektin e pozitës 4 dhe 5, por nuk është kjo atuja kryesore edhe e tyre. Mendoj që do të jetë një ndeshje shumë interesante. Në rast se Kosova arrin të jetë e kujdesshme në topat e humbur, jam shumë i bindur që gjasat janë shumë të mira për të fituar sonte në palestrën ‘Sezai Surroi“, vazhdoi tutje Loxha.

Krejt në fund, Loxha tha se Kosova do të varet nga preciziteti i Berishës dhe Qallakut, por edhe mungesa e Erion Kastratit mund të jetë shumë e rëndësishme, natyrisht në kuptimin negativ të fjalës

“Kosova do të varet shumë nga preciziteti i Dardan Berishës, Arian Qallakut. Në rast se Erion Kastrati nuk do të mund të luajë, do të jetë pa asnjë dyshim një mungesë e madhe, pasi që është një lojtar i gjatë, i cili di shumë mirë që ta mbajë topin”, përfundoi Loxha.

/GazetaBlic Sport/