jykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar e masën së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Ilir Avdullahut, i njohur me nofkën “Liza”, i cili u arrestua të dielën, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.
Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj Avdullahut.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet I.A. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri I.A. në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S”, thuhet në njoftim.
Me këtë, thuhet se në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale “Vrasje e rëndë’’ nga neni 147 paragrafi 1 nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës).
Ndryshe, Policia të dielën njoftoi se është arrestuar Ilir Avdullahu, i cili ishte në kërkim policor për vite me radhë.
“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën ‘Liza’. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Për Triumf Rizën është duke u rigjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit./BetimipërDrejtësi


