Sporti

Kosova përballet me Zvicrën, Ferati: Duhet të kemi kujdes nga qendra Capela dhe dy serbët me nënshtetësi zvicerane

07/18/2023 16:49
nga:Mergim Rreci

Kosova do të përballet me Zvicrën në njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në vitet e fundit në basketboll.

Dardanët përballen me ‘Nati-n’ në kuadër të Rrethit të Tretë Parakualifikues për Eurobasket 2025, atje ku ka optimizëm të madh për një rezultat sa më pozitiv.

Ish basketbollisti dhe tashmë trajneri i basketbollit kosovar, Ismet Ferati tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Zvicra është një kundërshtar i fortë, kurse duhet të kemi kujdes nga qendra Kapela dhe dy serbët me nënshtetësi zvicerane.

“Pas një kohe të gjatë, ekipi A i basketbollit është rikthyer më në fund, pasi dihet se pushimi ka qenë i gjatë për shkak të mungesës së suksesit në parakualifikimet e mëparshme. Edhe këtë herë kundërshtarët në grup nuk janë aspak të lehtë. Zvicra ka kualitet, sidomos nëse luan Clint Capela, qendra nga NBA, ndërsa edhe të tjerët janë të rrezikshëm, sidomos dy serbët me nënshtetësi zvicerane”, tha fillimisht Ferati.

Tutje, Ferati tha se Kosova ka përfituar shumë nga angazhimi i trajnerit Radar, ku sipas tij që një kohë të gjatë nuk ka pasur një trajner serioz.

“Cilësia jonë kryesore do të jetë trajneri i ri, pasi prej kohësh nuk kemi një trajner serioz në ekipin A. Shpresoj që djemtë tanë të jenë në formë pasi kampionati përfundoi në fillim të majit dhe pauza nga ndeshjet ka qenë e gjatë. Mbështetja e shikuesve do të jetë shumë e nevojshme, uroj vetëm sukses“, përfundoi Ferati.

/GazetaBlic Sport/