Showtime

“100 ditë keqtrajtim…”, dalin detaje të reja nga historia e sherrit mes Feros dhe Arbenitës

07/17/2023 14:54
nga:N M

Marrëdhënia mes Feros dhe modelës Arbenita Ismalji, ka degraduar pasi këngëtari ka ushtruar dhunë ndaj kësaj të fundit dhe si rezultat, çështja e tyre ka përfunduar edhe në gjykatë.

Bazuar në raportin e Prokurorisë të siguruar nga Prive, aty tregohet se për afro 100 ditë, ndaj modeles janë ushtruar forma të ndryshme të dhunës.

“Për shkak të raporteve të përkeqësuar për 3 muaj, e dëmtuara i kërkon të ndaheshin dhe të merrte vajzën, gjë që e revolton të pandehurin, i cili duke mos pranuar ndarjen fillon të shfaqë agresivitet duke bërtitur dhe i kërkon edhe një shans”, thuhet në raport.

Sipas raportit, dhuna fizike nga Fero në drejtim të Arbenitës duket të ketë eskaluar deri në goditje në shpinë, si dhe kërcënim me vrasje.

“Por, kur e dëmtuara refuzon i pandehuri revoltohet dhe e sulmon fizikisht duke e goditur me grusht në shpinë dhe kur e kupton se e dëmtuara po e incizonte, ia merr telefonin nga dora dhe ia thyen, për dysheme duke e kanosur me fjalët: Nëse e merr vajzën dhe shkon në Angli kam me të vra”, thuhet tutje në raport.

Avokati i Feros ka pranuar se klienti i tij ndodhet në burg, mirëpo ai e ka mohuar të ketë pasur përdorim të dhunës, teksa incidentin e ka cilësuar “mosmarrëveshje”.

“Është e vërtetë që ka pasur një kërkesë për Feronit Shabanin. Unë do e kisha quajtur debat më shumë se mosmarrëveshje. Ky debat është iniciuar nga ana e bashkëshortes. Kushti kryesor i saj ka qenë që të marrë vajzën. Ajo ka ardhur një natë para nga Britania në Kosovë, kërkesa e saj ishte që të merrte vajzën, ajo kërkoi pasaportën e vajzës, e kështu nisi debati”, ka thënë ai.

“Arbenita vjen në fundjavë në Kosovë, e pastaj shkon për punë të saj. Vajza është rritur nga Fero dhe nëna e tij. Qëllimi i saj ka qenë vajza, e argumenton edhe kërkesa e pasaportave. Në këtë rast është vetëm një dëshmitar, nëna e Feronit Shabanit. Emocionalisht Fero është i mërzitur, sidomos për vajzën, është i lidhur me të. Në këtë rast nuk ka pasur dhunë, asnjë formë e saj”, ka shtuar ai.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, rep artistit Fero, emri i vërtetë i të cilit është Feronit Shabani.

Fero dyshohet për veprën penale – “Dhunë në familje”.

Përndryshe, pas një mosmarrëveshje me Arbenitën, Fero dyshohet ta ketë sulmuar fizikisht këtë të fundit dhe për më tepër, ia ka thyer edhe telefonin.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje, ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin e policisë.