Lajme

Gjykata merr vendim për “Lune”-n, serbin për të cilin Kurti thoshte se Serbia bëri hakmarrje kur kidnapoi tre policët kosovarë

07/13/2023 16:09
nga:N M

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin edhe për dy muaj Milun Milenkoviq, të njohur si “Lune”, serbit të arrestuar përpara një muaji nga Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës.

Një gjë të tillë për Insajderi e bëri të ditur zëdhënësja e Gjykatës së shkallës së parë në Prishtinë, Mirlinda Gashi, një ditë përpara se t’i përfundonte afati për paraburgim të dyshuarit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehuri M.M, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, njofton Gashi.

për “Lune”-n thuhej se është njëri nga organizatorët kryesor të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR’it gjatë trazirave të 29 majit në veri.

Sipas ministrit Sveçla, “Lune” është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe “bosi” i bandave kriminale ndër vite në veri.

Tutje, ministri tha se ai ka qenë organizator i sulmit ndaj forcave të KFOR’it.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka bërë të ditur Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se arrestimi i “Lune” nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës çoi në hakmarrje nga ana e shtetit serb, kur kidnapoi Rifat Zekën, Beqir Sefajn dhe Shemsi Mustafën.

“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, pati shkruar ai në ‘Facebook’.

Pas arrestimit, avokati Besnik Berisha shtrihet për trajtim në Kardiologji