Lajme

Memli Krasniqi për audio-incizimet e Kusarit me Simiq: Marrëzia e ka mbuluar pushtetin e Albin Kurtit!

07/12/2023 21:52
nga:Y I

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të audio-incizimeve ku shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me përfaqësuesin e Listës Serbe Sllavko Simiq.

Krasniqi ka thënë se ofendimi i veteranëve të UÇK-së, i heroit Enver Zymberi si dhe i kolegëve të të Partisë Demokratike të Kosovës ,është manifestimi më i hapur i mentalitetit mashtrues e pa dinjitet, që e ka kjo mazhorancë që sot e drejton vendin.

Kreu i PDK-së tha se ka vetëm një rrugë për ta ndalë këtë degradim të gjithanshëm: “zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, për ta kthyer Kosovën në drejtimin e duhur!”, raporton Gazeta Blic.

Reagimi i plotë:

Marrëzia e ka mbuluar pushtetin e Albin Kurtit!

Ofendimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i heroit Enver Zymberi – që ra në detyrë duke mbrojtur sovranitetin e shtetit, si dhe i kolegëve të mi të Partisë Demokratike të Kosovës nga eksponentja kryesore e pushtetit të Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, është manifestimi më i hapur i mentalitetit tinëzar, mashtrues e pa dinjitet, që e ka kjo mazhorancë që sot e drejton vendin. Aq më shumë kur krejt këto paskan ndodhur gjatë serive të koordinimit me punëtorët e Milan Radojçiqit.

Këto ofendime janë të papranueshme dhe përbëjnë dëshminë e radhës se me këtë mentalitet, Kosova jo vetëm që s’ka të ardhme, por rrezikon ta cenojë edhe të kaluarën e saj të lavdishme.

Qeverisja e Albin Kurtit e ka degraduar çdo sferë të jetës. Stagnim në ekonomi, komë në diplomaci, kolaps në shendetësi, degradim në arsim, izolim ndërkombëtar e kërcënim të fjalës së lirë. Tashmë edhe dëshmi konkrete për veprime të koordinuara mes Kurtit e Radojçiqit, përmes mashave të tyre Kusari-Lila e Simiq.

Ka vetëm një rrugë për ta ndalë këtë degradim të gjithanshëm: zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, për ta kthyer Kosovën në drejtimin e duhur!