Lajme

Fetoshi: Marrëveshja për deeskalim lajm i mirë, por veprim i vonuar

07/12/2023 14:40
nga:Mergim Rreci

Pas marrëveshjes së arritur për deeskalim të situatës në veri lidhur me tërheqjen e qeverisë dhe masat që u morrën nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, për Gazeta Blic ka folur analisti politik, Arben Fetoshi.

Fetoshi marrëveshjen për deeskalim e cilësoi si një lajm të mirë por edhe si veprim të vonuar. Ai pret që me këtë marrëveshjë të fitoj ligji dhe të shtrihet sovranietit në veri.

“Natyrisht që de-eskalimi është lajm i mirë, por hapat në vazhdim duhet të jenë të matur e të koordinuar me perëndimin, në qëllimin për ta shmangur rrezikun e një autonomie në veri. Marrëveshja për de-eskalimin që pritet të zyrtarizohet javën e ardhshme në Bruksel është një reflektim i vonuar që duhet matur me efektet e prodhuara. Nëse me këtë marrëveshje nuk fitoi sundimi i ligjit dhe nuk u shtri sovraniteti në veri, atëherë si të arsyetohen veprimet dhe vonesat që agravuan marrëdhëniet tona me aleatët”, u shpreh Fetoshi për Gazeta Blic

Fetoshi tërheqjen e qeverisë e krahason si në rastin e targave, ku thotë se mund të sjell pasoja politike, dhe thotë se çështja e veriut mund të fitohet në Beograd.

“Kjo është një tërheqje si në rastin e targave, e cila mund të sjellë pasoja politike për shkak të pozicionit të dobësuar të Kosovës në procesin e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit. E kam thënë disa herë se veriu është çështje politike dhe beteja për këtë çështje fitohet në Beograd ”, tha Fetoshi për /Gazeta Blic/.