Sporti

Trashi: Kemi bërë shumë mirë, por na presin edhe 90 minuta

07/12/2023 08:23
nga:Mergim Rreci

Një nga protagonistët e suksesit të Ballkanit ndaj Ludogorets ishte padyshim edhe Lorenc Trashi, i cili iu bashkua kampionëve të Kosovës në janar dhe pas ambientimit, u shndërrua titullar i krahut të majtë.

“Kur kam ardhur në janar kam pasur vështirësitë e mia. Kam ardhur me shumë dëshirë duke e ndjekur ekipin në Ligën e Konferencës. Fillimi ishte shumë i vështirë, pasi jam aktivizuar në vetëm dhjetë ndeshjet e fundit, por ia kam dalë mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Kur kam ardhur kam folur me presidentin dhe objektivat e tij nuk ishin vetëm kampionati. Kam ardhur me synime të qarta, që të kemi paraqitje dinjitoze edhe në Europë. Dua t’i falënderoj të gjithë. Sonte kemi bërë punë të mirë, ndonëse kemi pasur përballë një ekip shumë të fortë”, tha Trashi.

Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare tha se skuadrat e Kosovës duhet të ndryshojnë qasje dhe të luajnë pa frikë, teksa theksoi se duhen ende edhe 90 minuta për kualifikimin.

“Mendimi im është që Kosova duhet të ndryshojë mentalitetin se si përfaqësohemi në garat evropiane. Nuk duhet të shkojmë si inferiorë. Hapat janë shumë të mirë dhe shpresoj që jo vetëm Ballkani, por edhe ekipet tjera të paraqiten mirë. Ludogoretsi ka shkuar në grupet në Champions. Është ekip i madh dhe na vuri në vështirësi në fund. Për ndeshjen e kthimit nuk duhet të kemi eufori”, tha ndër të tjera Trashi.