KB Golden Eagle Ylli ka filluar punën e madhe për edicionin e ri, duke prezantuar disa transferime dhe disa rinovime shumë të rëndësishme të kontratave.
Klubi nga Suhareka ka njoftuar zyrtarisht këtë të premte për arritjen e marrëveshjes së re me kapitenin, Gëzim Morina, përcjell GazetaBlic Sport.
30-vjeçari ishte pjesë e Yllit në dy sezonet e fundit. Sipas kontratës së re, reprezentuesi kosovar do të jetë i lidhur me klubin edhe për dy sezone tjera.
Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, Morina ka treguar arsyet që e kanë motivuar të vazhdojë kontratën me suharekasit, atje ku tha se fakti që Suhareka është vendlindja e tij, e ka motivuar edhe më shumë për të marrë një vendim të tillë.
“Padyshim që fakti që Suhareka është vendlindja ime luan një rol të madh në vendimin tim për të qëndruar këtu, askund tjeter nuk ndjehem aq mirë, sikur në qytetin tim dhe jam shumë falënderues që mund të ushtrojë profesionin tim këtu. Sidoqoftë, po të mos kishte klubi organizim kaq të mirë dhe sponzor serioz, qëndrimi im këtu nuk do të ishte i mundur”, tha fillimisht ai.
Tutje, Morina tha se klubi ka vendosur objektivat për edicionin tjetër, atje ku do të luftojnë për çdo trofe të mundshëm.
“Objektivat e skuadrës tonë mbeten të njëjta, do të lujftojmë për trofe, ndonëse rrugëtimi sivjet do jetë më ndryshe. Fokusi është afrimi i sa më shumë lojtarëve vendor në ekip, që pastaj të mund ta kompletojmë ekipin me trajner dhe lojtarë të huaj. Besoj në punën që është duke e bërë kryesia e klubit, mendoj që do të konsolidojmë një ekip të mirë dhe konkurues për të gjitha trofetë“, përfundoi Morina.
/GazetaBlic Sport/


