Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se ka biseduar në telefon me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të cilit shprehet se ia ka prezantuar “pasojat e zhvillimit të rrezikshëm” të situatës në Kosovë.
Ai tha se ka kërkuar nga ai që të bëjë përpjekje shtesë, për t’i kuptuar autoritetet e Kosovës.
“Si gjithmonë, një bisedë e hapur dhe serioze me presidentin Emmanuel Macron, të cilit i prezantova pasojat e zhvillimit të rrezikshëm të situatës në Kosovë. Dhuna tashmë e fshehtë e drejtuar kundër serbëve në Kosovë, po largon gjithnjë e më qartë çdo mundësi, të një bisede dhe qasje të civilizuar për zgjidhjen e çështjeve të hapura”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Ai po ashtu ka thënë se në bisedën me presidentin francez ka theksuar se Serbia mbetet e përkushtuar për dialogun dhe ruajtjen e paqes.
“E theksova se Serbia mbetet e përkushtuar për dialogun dhe ruajtjen e paqes, edhe pse komuniteti serb në Kosovë është i vetmi grup etnik në Evropë që është i ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme. I kërkova presidentit Macron të bëjë një përpjekje shtesë në mënyrë që pala prishtinase do të vinte në vete dhe do të kthehej sa më shpejt në kuadrin e bisedimeve konkrete, si dhe do të ndalonte të pakuptimta të gjitha përpjekjet që synojnë deeskalimin e situatës”.
Vuçiç falënderoi Macron “për gatishmërinë e tij për të dëgjuar” Beogradin.
“E falënderova presidentin Macron për gatishmërinë e tij për të dëgjuar Beogradin, si dhe për vendosmërinë e tij për të bërë përpjekje shtesë për të zgjidhur situatën jashtëzakonisht komplekse dhe mbi të gjitha të rrezikshme në Kosovë”, tha ai.


