Geek

Ndikimi i teknologjisë në zhvillimin e fëmijëve

07/07/2023 12:18
nga:Mergim Rreci

Shkruan: Traditë Berisha

Siç e dimë, teknologjia e ka bërë jetën tonë më të lehtë dhe më efikase. Ajo është bërë shumë e rëndësishme dhe gati e pazëvendësueshme për njeriun në botën e sotme moderne.

Ashtu si në shumë vende të botës edhe në Kosovë përdorimi i telefonave ka pësuar një rritje dramatike gjatë viteve të fundit dhe vëmendja po shkon gjithnjë e më shumë drejt telefonave smart.

Teknologjia është bërë e domosdoshme në çdo sferë të jetës dhe përdoruesit e saj janë të moshave të ndryshme. Mirëpo, përdoruesit që janë duke u shtuar në ritme shqetësuese janë fëmijët. Dhe kjo është bërë një problematikë për të gjithë prindërit, sepse pasojat e telefonave smart në zhvillimin e fëmijëve janë më të mëdha sesa dobitë e tyre.

Por, përveç prindërve, kjo është bërë problematikë edhe për pedriatrit e zhvillimit dhe logopedët, të cilët iu bëjnë thirrje prindërve dhe mësuesve për të ndaluar përdorimin e të gjitha pajisjeve të mbajtjes në dorë për fëmijët nën moshën 12 vjeç.

ANËT POZITIVE TË TEKNOLOGJISË

Të gjithë e dimë që teknologjia ka bërë një ndryshim të madh në jetën njerëzore. Mirëpo, këtu do t’i përmendim disa prej anëve pozitive të saj, që ndikojnë në zhvillimin e fëmijëve, si përdoruesit më të prekshëm të teknologjisë.

Disa prej dobive të teknologjisë në zhvillimin e fëmijëve janë këto:

⦁ Lehtësia e komunikimit – Jeta është bërë më e ngarkuar dhe më dinamike për secilin prej nesh. Shumica e prindërve janë të punësuar dhe problemi kryesor për ta është të jenë të ifmormuar për fëmijët e tyre, për aq kohë sa nuk janë pran tyre. Dhe, pikërisht këtë qështje e ka bërë më të lehtë teknologjia, ku fëmijët mund t’i informojnë prindërit e tyre për çdo gjë, si edhe prindërit mund t’i kontaktojnë fëmijët kurdo që e kanë dhe e ndjejnë të nevojshme.

⦁ Aksesi në informacion – Një përparim tjetër i teknologjisë është qasja në informacion. Fëmijët mund të kyqen në internet dhe përmes kompjuterit, telefonave të mençur etj., mund ta gjejnë informacionin e nevojshëm, siç janë për shembull hulumtimet që kërkohen nga ana e mësimdhënësve etj.

⦁ Përmirësimi i cilësisë në arsim – Arsimi është një fushë që përfiton shumë nga teknologjia. Fëmijët mund të gjejnë metoda dhe teknika të ndryshme të të mësuarit, të marrin iformacione shtesë përveç atyre që i mësojnë në shkollë, të marrin njohuri të përgjithshme nga fusha të ndryshme të jetës etj.
⦁ Zhvillimi i logjikës – Fëmijët i përdorin pajisjet teknologjike edhe për të luajtur. Në këto pajisje ipet mundësia për të luajtur shumë lojëra, jo vetëm për argëtim, por edhe të atilla që ndihmojnë në zhvillimin e logjikës tek ata. Lojërat e tilla quhen “Brain games” dhe ka shumë prej tyre.

ANËT NEGATIVE TË TEKNOLOGJISË

Jo çdoherë teknologjia ka vetëm anët pozitive. Pothuajse çdo ditë shohim fëmijë që shumicën e kohës e shfrytëzojnë pran kompjuterëve apo në telefona. Këto janë probleme të mëdha të shoqërisë së sotme dhe, në vijim do t’i shohim efektet negative që sjell përdorimi i tyre tek fëmijët:

⦁ Zhvillim i vonuar – Përdorimi teknologjisë kufizon lëvizjen, e cila mund të rezultojë në zhvillimin e vonuar. Një në tre fëmijë që përdorin  teknologjinë konsiderohen me vonesë zhvillimore, duke ndikuar negativisht në të mësuarit dhe arritje akademike. Teknologjia jep efektin e pasivitetit, përgjumjes dhe dembelizmit, ndryshe nga lëvizja e cila  rrit vëmendjen dhe aftësinë e të mësuarit. Përdorimi i teknologjisë nën moshën 12 vjeç është e dëmshme për zhvillimin e fëmijëve dhe të të mësuarit.

⦁ Dëmtimi gjuhësor – Shpeshherë fëmijët shqiptarë që përdorin teknologjinë dëgjojnë video-animatore në gjuhën angleze. Ka një pjesë të fëmijëve që i zhvillojmë të dyja gjuhët në mënyrë simultane dhe këtu jemi në rregull. Fëmijët që zhvillojnë dy gjuhë njëkohësisht kanë më tepër avantazhe se një fëmijë që përdor vetëm një gjuhë, por në këtë artikull do të merremi çrregullimin e dygjuhësisë.  Duke qenë se ata jetojnë në një mjedis ku flitet shqip, kjo i bën ata të rrezikuar ndaj çrregullimit të bilingualizmit. Pra, fëmijëve që janë të ekspozuar në dy ose më shumë gjuhë mund t’u ndodhë konfuzioni bilingual ose multilingual dhe, për pasojë, këta fëmijë kanë vështirësi në zhvillimin gjuhësor në secilën gjuhë. Edhe në gjuhën shqipe ata hasin vështirësi, sepse duke qëndruar për një kohë të gjatë me teknologjinë, ata dëgjojnë në gjuhë të huaj e për rrjedhojë ajo nuk është më një e gjuhë e huaj për fëmijën, por ajo kthehet në një gjuhë familjare. Është një gjuhë e dytë, por kryesore për fëmijën. Sa më tepër të konsumojë kohë me gjuhën e huaj, aq më të mëdha janë gjasat që ai të zhvillojë atë gjuhë, e nga ana tjetër të ketë vështirësi në zhvillimin e gjuhës shqipe. Por, mund të mos zhvillojë asnjërën e për rrjedhojë ai mund të mbyllet në vetvete prej pamundësisë së komunikimit, prej faktit se është mësuar të rrijë vetëm me teknologjinë që i është dhënë prej familjarëve të vet.

⦁ Çrregullimi i gjumit – Sipas një studimi amerikan, një telefon në dhomën e gjumit mund të sjellë ndjeshëm më pak gjumë dhe më shumë lodhje. Fëmija duhet të fle shumë dhe të ketë trurin e tij të pushuar për aktivitetet e ditës tjetër.

⦁ Obeziteti epidemik – Përdorimi i telefonave lidhet me rritjen e obezitetit. Fëmijët të cilët i kanë të lejuara aparatet në dhomat e tyre kanë 30% rritje në rastet e obezitetit. 30% e fëmijëve me obezitet do të zhvillojnë diabetin, dhe individët obezë janë në rrezik të lartë për goditje të hershme në tru, sulm në zemër, pra shkurtimin e jetëgjatësisë. Kryesisht, për shkak të obezitetit, fëmijët e shekullit XXI mund të jenë brezi i parë, shumë prej të cilëve nuk do të jetojnë më gjatë se prindërit e tyre.

⦁ Sëmundje mendore – Përdorimi i tepruar i teknologjisë njihet si faktor shkaku në rritje të depresionit të fëmijëve, ankthit, çrregullimeve shtesë, deficitit të vëmendjes, autizëmit, çrregullimit bipolar, psikozës dhe sjelljeve problematike të fëmijëve.

⦁ Agresioni – Përmbajtja e dhunshme e mediave mund të shkaktojë agresion të rritur të fëmijëve. Fëmijët e vegjël janë të ekspozuar gjithnjë e në rritje nga rastet e dhunës fizike dhe seksuale në median e sotme. Një nga fuqitë më të mëdha në botë, si SHBA, e ka kategorizuar dhunën në media si një rrezik për shëndetin publik për shkak të ndikimit në agresionin e fëmijëve.

⦁ Sensibilizimi i fëmijëve ndaj dhunës – Përmes telefonave të mençur, fëmijët janë të ekspozuar ndaj dhunës në lojëra dhe përmes ngacmimit në internet në faqet e bisedave. Kjo sensibilizon fëmijët dhe i shtyn ata të pranojnë se sjellja e dhunshme është thjesht një mënyrë normale për të zgjidhur problemet.

⦁ Varësia – Edhe  prindërit varen  gjithnjë e më shumë drejt teknologjisë, ata shkëputen nga fëmijët e tyre duke i shfrytëzuar shpeshherë telefonat si një mjet “qetësimi” për ta e në këtë mënyrë pa menduar më larg iu shkaktojnë dëme në shëndetin e tyre. Kështu në mungesë të lidhjes prindërore, pa iu kushtuar kohë të mjaftueshme fëmijëve të tyre, këta fëmijë fillojnë e shkëputen nga marrëdhënja me prindërit e tyre dhe krijojnë varësi te pajisjet teknologjike.

⦁ Paqëndrueshmëria – Mënyrat në të cilat fëmijët janë rritur dhe edukuar me teknologjinë nuk janë më të qëndrueshme. Fëmijët janë e ardhmja jonë, por nuk ka të ardhme për fëmijët që mbipërdorin teknologjinë. Një qasje e bazuar në ekip është shumë e nevojshme dhe urgjente për të zvogëluar përdorimin e teknologjisë nga fëmijët. Ekspozimi i tepërt i fëmijëve ndaj teknologjisë mund të sjell si efekt negativ stopimin e të folurit apo dhe stopimin e zhvillimit gjuhësor. Siç tregon Dr. Gentjana Sinaj, logopede,  rastin i një vajze 3-vjeçare e cila konsumonte mbi 4-orë në ditë përpara kompjuterit dhe si rrjedhoj kishte sjell tek ajo bllokim të të folurit. Vajza e vogël nuk frekuentonte çerdhen dhe shoku i saj ishte kompjuteri. Vajza merrte informacion prej kompjuterit, por  nuk kishte bashkëbisedim ndërmjet tyre, nuk kishte fjalë mes tyre. Ajo dëgjonte, shikonte, por në gjuhë të huaj. Ishte mbyllur në vetvete. Me prindërit ajo kishte gjetur mbështetje në komunikimin jo verbal (të folurën pa fjalë) dhe për rrjedhojë i gjithë fjalori i saj ish kufizuar vetëm në 4 fjalë. Pas vetëm një konsulte logopedike vajza e vogël filloi t’i komunikonte mamit të vetë, dëshirat e veta, verbalisht. Ajo nuk u rikthye më, sepse nuk ishte e nevojshme. Nisi të fliste, por deri atëherë ishte bllokuar. Nuk bëmë asnjë gjë të madhe, thjeshtë diskutuam sesi duhej të veprohej. Duhej kanalizuar vetëm në një gjuhë, sepse kishte konfuzion multilingual. Ajo dinte të shprehej në shqip, por ngatërrohej me gjuhën portugeze dhe angleze, kishte vështirësi në përcaktimin ose familjarizimin me një gjuhë të caktuar. Por ia doli, kishte mundur të kuptonte në tre gjuhë, por ndihej konfuze në cilën gjuhë duhej të shprehej. Ndaj ajo që konkludojmë  është: më shumë marrëdhënie interaktive me njerëz të tjerë dhe integrim social i hershëm, më pak teknologji, sepse mbyll fëmijën në vetvete dhe mund të sjell konfuzion multilingual e për rrjedhojë fëmija mund të has vështirësi  në arritje akademike dhe  ndërtimin e marrëdhënieve me të tjerët.

⦁ Valët e telefonave dhe të internetit – Megjithatë, efektet negative janë edhe më të mëdha tek fëmijët. Specialistët e Zyrës për Mbrojtjen nga Rrezatimet, theksojnë se fëmijët mund të jenë më të rrezikuar nga ekspozimi ndaj energjisë së valëve elektromagnetike. Kjo, sepse energjia e emetuar nga celularët, mund të ndikojë në një zonë më të madhe të trurit tek fëmijët, ndryshe nga sa ndodh tek truri i më të rriturve.

PËRFUNDIMI

Padyshim që teknologjia ka bërë revolucion në jetën njerëzore. Ka evoluar jeta primitive në atë moderne. Teknlogjia ka bërë për vete të gjithë njerëzimin si përdorues të saj, prej të cilëve kush më pak e kush më shumë është bërë i varur prej saj. Mirëpo, shqetësimi kryesor janë fëmijët. Ata janë shtresa më e brishtë, që është duke u ndikuar më së shumti.

Gjatë hulumtimit, arrita të kuptoj që teknologjia për fëmijët nuk është e preferueshme deri në moshën 12 vjeç. Edhe atëherë kur është e domosdoshme për fëmijët, gjithmonë të përdoret në prani të prindërve.

Të përdoret për të marrë informacione të ndryshme, të cilat janë gjithmonë në dobi të tyre. Dhe, në rastet kur pajisjet teknologjike iu ipen fëmijëve me dijeni të prindërve me qëllim të argëtimit të tyre, të shfrytëzohen lojërat që ndihmojnë në zhvillimin e logjikës së fëmijëve.