Lajme

Paralajmërimi i Vuçiqit për ndalimin e eksportit të armëve, Shasha: Presidenti serb presion Perëndimit për Kosovën

07/06/2023 17:01
nga:Genita C

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi sot se po shqyrton mundësinë që javën e ardhshme të nënshkruajë një vendim për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme.

Ndaj këtij paralajmërimi ka reaguar drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, i cili ka thënë se me këtë Vuçiq po i bën presion Perëndimit për Kosovën.

“Duke i bërë presion Perëndimit mbi Kosovën, Vuçiq sapo ka paralajmëruar Perëndimin se ai mund të ndalojë eksportin e armëve dhe municioneve (duke aluduar në Ukrainë) javën e ardhshme”, ka shkruar Shasha në një postim në Twitter.

Shasha tha se “kjo është ajo që është Ukraina për të [Vuçiqin]. Një mjet pazaresh”.

Vuçiq, duke thënë se po shqyrton mundësinë e nënshkrimit të një vendimi për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme “sepse interesi jetik kombëtar i Serbisë është i kërcënuar”, ai tha se “çdo gjë duhet të përgatitet në rast të agresionit ndaj Serbisë”.

“Serbia nuk po përgatitet për asnjë luftë, por është e gatshme të shpëtojë jetën e njerëzve të saj”, tha Vuçiq.