Lajme

“Do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë” / VV: Komuna e Prishtinës ka keqklasifikuar buxhetin

07/06/2023 12:35
nga:N M

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë ka prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet që ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin Vjetor të Auditimit për Komunën e Prishtinës për vitin 2022.

Sipas VV-së, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Prishtinës për vitin 2022.

Violeta Salihu nga kjo parti, ka sqaruar se Opinioni i Kualifikuar jepet në rastin kur janë zbuluar keqdeklarime ose mospajtueshmëri.

“Sipas standardeve të auditimit, Opinioni i Kualifikuar jepet në rastin kur janë zbuluar keqdeklarime ose mospajtueshmëri, kur e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare”, tha ajo.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Ermal Osmani, ka paraqitur siç tha disa argumente të keqpërdorimit, duke sqaruar se ka pasur keq klasifikim, ku nga buxheti për investime kapitale janë paguar dy milionë euro shpenzime që për nga natyra nuk i takojnë kësaj kategorie, raporton EO. Ai shtoi se disa nga këto gjetje do t’i adresojnë te organet e drejtësisë, për shkak të dyshimit për vepër penale.

“Po filloj me mashtrimin e parë që është tentuar të bëhet duke keq-klasifikuar në kategoritë ekonomike, ku nga buxheti për investime kapitale janë paguar dy milionë euro shpenzime që për nga natyra nuk i takojnë investimeve kapitale”.

“Prezantim i pasakte i llogarive të arketueshme në taksat e infrastrukturës, kemi shumë të mbivlerësuar për 98 mijë euro dhe nga të arketueshmet nga lejet e ndërtimit ishin nënvlerësuar për 250 mijë euro”.

“Mosprezantim i saktë i detyrimeve kontingjente në raportin vjetor financiar, ku si pasojë e dyfishimeve ato ishin mbivlerësuar për 11 milionë euro. Tejkalimi i furnizimeve të sasive të përcaktuara në kontratë”, vlerësoi ai.

Ekskluzive: Legjenda Robert Gjeraj i jep fund karrierës si futbollist aktiv pas 22 vitesh