Reagime të shumta ka pasur sot pas refuzimit që kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për një takim.
Kurti tha se ka kërkuar nga Rama në vizitën e tij të nesërme në Prishtinë, të mbajnë mbledhjen e dy qeverive dhe të nënshkruajnë marrëveshjet e planifikuara.
Por, si e shohin analistët këtë refuzim të Ramës nga ana e Kurtit.
Njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti i përket botës së konspiracionit, pasi e ka bindur veten dhe shtabin nga Dejona Mihali se tërë bota është kundër tij.
“Kryeministri i Kosovës përket në botën e konspiracionit sepse e ka bindur veten dhe shtabin e drejtuar nga Dejona Mihali se e tërë bota liberaldemokratike është kundër tij dhe se kauza e tij thellësisht ideologjika është e vetmja parimore kundruall një bote të padrejtë”, vlerëson ai.
Matoshi thekson se Rama e drejton një vend që është pjesë e NATO-s dhe Kurtit kjo nuk i pëlqen, andaj ka zgjedhur izolimin.
“Edi Rama e drejton një vend, anëtare të NATO-s, pra është në rreshtin që në aspektin e sigurisë i prin Amerika dhe kjo, Kurtit nuk i pëlqen. E ka zgjedhë vetëmjatueshmërinë. Izolimin”, deklaron analisti Halil Matoshi për Gazeta Blic.
Ndërsa, analisti tjetër, Gazmir Raci, potencon se mbledhja e dy qeverive është më e rëndësishme sesa Procesi i Berlinit, për të cilin ka kohë ende.
“Mbledhja e dy qeverive është më e rëndësishme sesa ajo për çka po vjen Rama. Për Procesin e Berlinit ka kohë sepse do të mbahet në tetor. Mbledhja e dy qeverive ishte gabim që u anulua nga Rama. Është mirë që Edi Rama po i kthehet procesit të Berlinit”, thekson ai për Gazeta Blic.
Sa i përket ndihmës që dëshiron ta bëjë Rama për dialogun, Raci thotë se Shqipëria nuk është e përfshirë në dialog dhe se Rama nuk e ndihmon Kosovën duke e akuzuar e duke anuluar mbledhjen e dy qeverive.
“Dialogu është mes Kosovës dhe Serbisë, e jo mes Shqipërisë e Serbisë. Kosova e ka lidershipin e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe janë përgjegjës për dialogun. Edhe Edi Rama nuk po e ndihmon procesin duke e akuzuar Kosovën e duke e anuluar mbledhjen e dy qeverive. Shqipërisë nuk i takon të sillet si fasilituesit e dialogut duke qenë në mes të palëve”, deklaron analisti Gazmir Raci për Gazeta Blic.
Ndryshe, derisa Rama nuk do të takohet me Kurtin, sipas burimeve të Gazeta Blic, nesër ai do ta takohet pasdite me presidente Vjosa Osmani.
Përpos Osmanit, Rama do të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca./Gazeta Blic/
Kurti e refuzoi, Rama nesër takohet me Osmanin
Kurti refuzon të takohet me Edi Ramën


