Agron Kolaj ishte njëri ndër portierët më të mirë në edicionin që shkoi në Superligën e Kosovës.
Portieri i skuadrës së Prishtinës ishte fantastik në portën e skuadrës nga kryeqyteti, duke qenë një siguri e shtuar në formacionin e Debatik Currit.
Ai pritet të jetë numri një edhe për edicionin që po vjen dhe tashmë ka filluar përgatitjet së bashku me skuadrën, duke kërkuar formën optimale.
Në një prononcim për Gazeta Blic, Agron Kolaj tha se përgatitjet para fillimit të sezonit janë të vështirë, por se po mundohen të bëjnë më të mirën e tyre.
“Përgatitjet i kemi nisur të shtunën dhe normalisht dihet që ditët e para janë pak të ngarkuara, dihet që nuk është një fazë shumë e preferuar për sportistët sepse është e lodhshme si fizikisht ashtu edhe mendërisht, por kalon shpejt“, tha fillimisht ai.

Tutje, Kolaj foli edhe për pritshmëritë e edicionit të ardhshëm, duke thënë se do të luftojnë për tituj dhe për paraqitje sa më të mira.
“Pritshmëritë janë që klubi të jetë sa më lart në tabelë, të luftojmë për tituj dhe poashtu të kemi paraqitje sa më të mira“, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


