Lajme

Lutfi Haziri: Qeveria po shkon drejt izolimit, Osmani e Konjufca në këndin e vdekur politik

07/04/2023 18:46
nga:Genita C

Bashkimi Evropian ka ndëshkuar Kosovën me disa masa, për shkak se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionimin e situatës në veri.

BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.
Masa tjetër është që Kosova nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë, përveç diskutimit të krizës në veri në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Qeveria e Kosovës ishte njoftuar më 28 qershor për këto masa ndëshkuese.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka kritikuar Qeverinë për mos njoftimin e këtyre sanksioneve.

Kjo sipas tij, është mos transparencë e mos llogaridhënie për qytetarët.

Haziri në një intervistë për Front Online ka thënë se për Kosovën kjo javë ka qenë jo e mirë.

“Javë e keqe për Kosovën, nuk po flasim as për lajm të keq e as për paralajmërim sepse kjo u zbardh prej 28 qershorit, gabim shumë i madh i kryeministrit që nuk e ka bërë publike me 28, është mos transparencë dhe mos llogaridhënie të kuvendit e qytetarëve të Kosovës në momentin që është ardhur letra Kurti, Osmani, Konjufca e kanë pasur për obligim me dalë me qëndrim”, tha Haziri.

Haziri thotë se për marrëveshjen e arritur në Ohër, Kurti nuk mund të gjejë arsyetime.

Ai tha se LDK-ja gjithmonë e ka cilësuar si marrëveshje të keqe.

“Qeveria kishte qenë e njoftuar që nëse nuk ndërmerr masa për deeskalim që Kosova do të përballët me masa ndëshkuese. Si pjesë e marrëveshjes së arritur në Ohër nga ky kryeministër, asnjë arsyetim nuk e ka se marrëveshjen e ka realizuar vetë atë marrëveshje LDK-ja e ka cilësuar si marrëveshje të keqe por kur merr obligim në emër të shtetit është obligim i krejt popullit të Kosovës në veçanti të kryeministrit”, theksoi Haziri.

Haziri: Sanksionet e radhës do të jenë edhe më të rënda për Kosovën

Nënkryetari i LDK-së, ka paralajmëruar se mund të ketë masa të reja përveç këtyre që ka marr nga BE-ja.
Lutfi Haziri tha për Front Online se ndëshkimi i radhës për Kosovën do të jetë edhe më i rënd.

Ai thotë se për çdo Qeveri tjetër nëse vinë do të jenë të vështira.

“Pako tjetër e sanksioneve është e paralajmëruar nëse kjo pako e masave nuk jep efektin e pritur pako tjetër do të jetë edhe më e rëndë për Kosovën se do të shkojë me sanksione me presion më të madh .Në veçanti SHBA -ja e ka paralajmëruar që ne marrëdhënies me popullin e Kosovës e kemi shumë të mirë por me funksionarët dallojnë, vetëm si ndëshkim është për keq për Kosovën. Zbutja e masave vjen shumë graduale dhe e kryqëzuar për çdo lloj Qeveria këto masa do të jetë të vështira”, thotë Haziri.

Haziri thotë se Qeveria ka pranuar që të përballet me masa ndëshkuese e jo të implementojnë pako të re.

“Plani e kërkon që Kosova me marr vendime konkrete për një planë tre pikësh i cili kërkon deeskalim me procesin e zgjedhjeve gjithçka do të normalizohej, por Qeveria jonë ka pranuar që të përballët me masa ndëshkuese sesa të implemetojnë një pako apo obligim që e ka marrë më herët”, u shpreh Haziri.

Ish-negociatori për dialog: Është vonë për Kurtin ta gjejë vetën në planin e BE-së

Ish-negociatori për dialog, Lutfi Haziri ka folur edhe për vizitën e sotme të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.

Haziri tha se diplomacia e Lajçakut e ka sjellë deri në këtë masë Kosovën.

“Diplomacia e z. Lajçak ka sjellë deri në këtë masë Kosovën angazhimet e tij masa ndëshkuese ndaj palëve që kanë marr obligime në marrëveshje. Në vend që të vinin për organizimin e konferencës së donatorëve që është përfitim për shkak të bashkëpunimit por ai po vjen për të lutë palët për bashkëpunim dhe parandalim eventual të masave që kanë hyrë në fuqi prej ditës së djeshme”, deklaroi Haziri.

Haziri tha për Front Online se është vonë për Kurtin ta gjejë vetën në planin e BE-së.

“Tash e disa muaj kryeministri nuk ju ka pranuar plani, nëse arrin ta gjejë vetën në planin e BE-së për deeskalim është vonë sot, vonë dje por mund të jap sinjale të mirë për qetësim të situatës dhe të ndalën këto masa por nuk jemi duke parë sinjalizimi të tilla”, tha Haziri.

Nënkryetari i LDK-së jep detaje lidhur me planin e Abdixhikut për daljen e Kosovës nga kriza

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë të hënën se ka nisur planin e tij për daljen nga kriza dhe izolimi i Kosovës.

Lidhur me këtë planë të LDK-së, ka folur për Front Online, nënkryetari i kësaj parie, Lutfi Haziri.

Haziri tha se ne do të tregojmë që qytetarët e vendit nuk ecin në një linjë me kryeministrin i cili po dështon proceset.

Tutje, Haziri ka treguar se nga sot do të nisin takimet e LDK-së me gazetarët, shoqërinë civile e shumë grupe tjera.

“Ne përmes këtij plani dëshirojmë me i bërë gjithë përfshirjen në proces të vështir që po kalon Kosova e cila është pro evropiane, amerikane, por që kanë qenë të përjashtuar nga procesi i negociatave të fundit me këtë iniciativë mundemi me i bërë gjithëpërfshirës duke përfshirë mediat, analistët, editorët, OJQ, mërgimtarët e grupet e tjera të interesit që përfshinë ekonominë dhe grupet e tjera në mënyrë që me diskutuar se ku jemi dhe ka dëshirojmë me ecë dhe me shkuar në çfarë drejtimi”.

“Kjo qeveria e ka shpërfaqë një proces që po dështon i cili solli masa ndëshkuese e prishi marrëdhënie me ndërkombëtarët , ne duhet të tregojmë që popullata e Kosovës nuk është e një linje që kryeministri sot po e dërgon Kosovën. Ne do të arrijmë me i dëgjuar të gjithë me nda mendime me ta, një mobilizim i tillë politik do ta tregonte një pamje tjetër për Kosovën shpresë të re”, përfundoi Haziri.

Lutfi Haziri: Deklarata e presidentit Clinton, alarm për qetësimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë

Të hënën, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton ka vizituar shtetin fqinjë të Kosovës, Shqipërinë.

Ai nga Tirana ka dhënë një deklaratë lidhur me situatën aktuale në veri të vendit.

Clinton tha që duhet të ndalohen tensionet, situata e deritanishme është një marrëzi.

Lidhur me këtë deklaratë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha për Front Online se natyrisht që është marrëzi kur një president amerikan që pas 23 vite sheh mungesë ende në procese.

“Ne duhet te jemi mirënjohjes, por për një president që vjen pas 23 vjet në regjion, në Tiranë, jo rastësisht dhe sheh mungesën e progresit në atë pjesë natyrisht që është marrëzi, sikurse ambasadori amerikan në qëndrimin e parë kur u ardhë në Beograd, Chriss Hill, i cili ka qenë ambasador gjatë luftës i SHBA-ve në Shkup, por që e ka mbuluar edhe Kosovën, edhe operacionet e luftës kanë qene në mandatin e tij, pati thënë se ende e ka gjet termin Kosova Metohi”, u shpreh Haziri.

Ai tha se Clinton edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka përpjeke për vendosjen e paqes në vendin tonë.

Haziri ka përmendur një fjali të presidentit amerikan ku përmendët lufta e liria.

“Me lejo të them se ishte vizita e parë e Bill Clinton pas çlirimit të Kosovës. Ai tha se luftën e fituam, ndërsa ju fitoni paqen, dy herë si ish president e ka vizituar Kosovën dhe dje e vizitoi Shqipërinë dhe natyrisht 23 vjet pas mbylljes së luftës në Kosovë ende ka përpjekje për vendosjen e paqes në Kosovë dhe natyrisht një njeri që e ka mobilizuar bashkësinë ndërkombëtare me shpëtuar popullin e Kosovës, ka thënë Haziri.

Deklarata e Clinton për situatën në veri, sipas Hazirit, është alarm për Kosovën e Beogradin.

Ai thotë se Kurti nuk ka instikt të bashkëpunimit.

Sipas tij, Qeveria Kurti ka rënë në grackë e jo Kosova.

I vetmi opsion për vendin që ia rikthen imazhin, sipas Hazirit, është bashkëpunimi i pushtetit me planin e BE-së.

“Për të dy palët ishte alarm, alarm për Beogradin i cili vazhdon me kon burim i tensioneve dhe alarm për kryeministrin qe nuk ka instikt të bashkëpunimit siç e kane quajtur amerikanët. Bota e dinë që Beogradi është burim i problemit, por Kosova nuk ka ra në gracka politike, gracka për situata të tilla, duket te ketë grackë në të cilën ka ra qeveria Kurti, me u zgjidh si problem. Kemi plan trepikësh të BE, Qeveria të bashkëpunoj, i vetmi opsion i cili Kosovës ia rikthen imazhit e shteti që prodhon stabilitet sepse ne jemi barazuar me Serbinë fatkeqësisht edhe në masa edhe në burimet e problemit, destabilizimit”, thotë Haziri.

Ish-negociatori Haziri: Qeveria po shkon drejt izolimit, Kurti s’po sheh efekte negative të sanksioneve

Lutfi Haziri, ish-negociatori i dialogut Kosovë-Serbi ka thënë se Qeveria po shkon drejt izolimit.

Haziri tha për Front Online se Kurti s’po sheh efekte negative të sanksioneve të BE-së, për Kosovën.

“Mendoj që dëmet nuk janë duke u vlerësuar nga qeveria, kryeministri, s`po shihen efektet negative të masave, akoma po këmbëngulet në diçka që beson më shumë vetë sesa besojnë të tjerët. Qeveria po shkon drejt izolimit, izolim të funksionarëve tash, por pa të drejtë FSK-ja u suspendua nga manovrat e NATO-s. Ka qenë përvojë e jashtëzakonshme jo vetëm pjesëmarrje për Kosovën, që është kredit i madh politik, përvojë e jashtëzakonshme për oficerët e ushtarët e rinj të FSK”, tha Haziri.

Ai thotë se ndëshkimi i BE-së erdhi si pasojë e moskoordinimit.

“Kurti thotë se kam përditë koordinim, nëse i sheh deklaratat e qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare, adresimi i tyre është mos-koordinim. Masat ndëshkuese erdhën për shkak të mos-koordinimit”, thotë Haziri.

Lutfi Haziri: Osmani e Konjufca në këndin e vdekur politik e të përjashtuar nga procesi i dialogut

Për qëndrimet e presidentes Vjosa Osmani e kryeparlametarit, Glauk Konjufca, karshi situatës aktuale në veri, nënkryetari i LDK-së i ka dy fjalë.

Haziri thotë se të dy janë në këndin e vdekur politik.

Ai tha se Osmani e Konjufca janë të përjashtuar nga procesi i dialogut.

“Pak a shumë kemi një koordinim me Qeverinë. Jo nga presidentja si autoriteti më i lartë i shtetit, por nga kryeministri që është organ i ndarë nga presidentja dhe Kuvendi. Janë në vijë të njëjtë. Qëndrimi deklarativ mungon, me veprim mungon. Ata janë të përjashtuar nga procesi i dialogut nuk kanë asnjë lloj roli. Janë në këndin e vdekur politik. Nuk dëgjohen, nuk reagojnë, nuk veprojnë, e përcjellin në heshtje politikën e kryeministrit. Tek populli heshtja është miratim”, theksoi Haziri.

Haziri: Mocioni i AAK-së për rrëzimin e Kurtit, i pamjaftueshëm për ta ndryshuar situatën

AAK-ja javë më parë ka prezantuar një mocion mos besimi për kryeministrin Kurti.

Opozita këtë mocion nuk e ka përkrahur deri më tani.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha për Front Online se kjo nismë e AAK-së është e pamjaftueshme me ndryshuar situatën.

“Nuk ka të bëjë me përkrahje. Kemi bashkëpunim opozitar. Mocioni duhet të prodhojë sukses, sepse një mocion i cili nxit veç debat, i jep më shumë mundësi kryeministrit me i arsyetuar mosveprimet sesa me pas një sukses tjetër. Qeveria po shihet që ka shumicë të mjaftueshme në Kuvend, kryeministri po ndjehet i mjaftueshëm. Një njeri dhe një parti po e udhëheq shtetin dhe proceset”, tha Haziri.

Sipas BE-së për këto masa qeveria e Kosovës është njoftuar më 28 qershor. Masat janë të revokueshme në varësi të zhvillimevedhe të vendimeve të kryeministrit Albin Kurti. Bashkimi Evropian po monitoron gjithashtu nga afër edhe përmbushjen e kërkesave ndaj Serbisë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i quajti të padrejta masat e BE-së për Kosovën, duke thënë se “Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”.