Presidentja e Komisionit Evropian ka thënë se BE-ja pa Ballkanin Perëndimor, nuk është e plotë.
Këto komente, Ursula von Der Leyen i bëri gjatë vizitës në Spanjë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez.
“Të shikojmë përpara në vite dhe të imagjinojmë se di do të duket Evropa. A mund ta imagjinojmë një BE pa Ukrainën, pa Moldavinë, pa Ballkanin Perëndimor – dhe këto pjesë të Evropës të jenë nën ndikimin e Rusisë dhe Kinës? E pamundshme”, deklaroi shefja e KE-së.
Ajo shtoi se drejtimi që BE-ja duhet ta marrë “është i qartë” dhe shtoi se “tani duhet të nisim të mendojmë se si të sigurohemi që Evropa të jetë e plotë, që ato vende janë pjesë e BE-së”.
Kujtojmë se sot Spanja ka marrë nga Suedia drejtimin e Presidencës së BE-së për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti.