Lajme

Ahmetaj: Raportet me Bashkimin Evropian janë shkatërruar

07/03/2023 18:46
nga:G B

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka thënë që raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian janë shkatërruar.

“Partneriteti në secilën punë që nga punët më të thjeshta, deri te procesi i shtetndërtimit dhe avancimit të pozicionit të shtetit të Kosovës është çelësi kyç?”, ka thënë Ahmetaj në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Pyetja është: Sa kanë mbetur dhe sa kemi lënë ne nga ato urat ndërlidhëse të cilat kanë ekzistuar me vite të tëra, që janë ndërtuar nga qeveritë më herët, sa kanë mbetur të gjalla, dhe sa ne mund të llogarisim në atë partneritet?”

Sipas Ahmetajt, Kosovës nuk i shkon fare për shtati një situatë e tillë, teksa theksoi që këto raporte lëre që nuk janë ruajtur, por kanë shkuar drejt rrënimit.

“E thashë edhe më herë që jo vetëm që nuk janë ruajtur dhe avancuar ato raporte, por janë shkatërruar në tërësi dhe ne sot e shohim për shembull, shpesh herë kryeministrin t’i drejtohet Bashkimit Evropian apo institucioneve në BE-së nga Prishtina nëpërmjet kamerave në vend se në ditë të sotme kur ka aq shumë dinamikë në raportet në mes të liderëve, në mes të diplomatëve sa bëjnë me telefona, me mesazhe, domethënë të jep mesazh që asgjë nuk ka mbetur nga raportet e tij me Brukselin ne bashkësinë ndërkombëtare, kur ai dërgon mesazh nga Prishtina”.

“A është kjo ajo që i duhet Kosovës? Sigurisht që jo!”