Lajme

Në ora 15:00 mblidhet Këshilli i PDK-së: Rrëzimi i Kurtit, sanksionet dhe gjendja në Veri, këto vendime pritet të merren

07/03/2023 09:55
nga:N M

Në ora 15: 00 pritet të mblidhet Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike, e ku priten të merren disa vendime që lidhen me situatën aktuale politike në vend siç janë sanksionet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Kosovës, de përshkallëzimi i situatës në veri dhe mocioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë, raporton Gazeta Blic.

Burime të Gazeta Blic nga PDK kanë thënë se PDK pritet ta mbështes mocionin e AAK për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

“Përveç kësaj, Partia Demokratike e Kosovës pritet të dal edhe me disa qëndrime e konkluzione se si të dilet nga gjendja aktuale. PDK e konsideron shumë shqetësuese qasjen e Qeverisë së Kosovë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, tha ky burim.

Se do të marrin vendime të rëndësishme, e konfirmoi për Blic Interview me Astrit Gashin edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e cila shtoi se kjo parti do të mundohet të ndalë tendencat rrënuese të kryeministrit Kurti.

Ndërsa, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se qytetarët kanë nevojë për qartësi.“Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese. Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka shkruar Krasniqi ditë më parë në Facebook.

Ai tha tutje se Kurti po e vendos Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara.

“Ky kryeministër i papërgjegjshëm po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara ku, nga Evropa, bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska”, ka deklaruar Krasniqi.

Pjesë e Këshillit Drejtues të subjektit më të madh opzoitar nuk janë deputetët e kësaj partie dhe as kryetarët që janë të zgjedhur në komunat e Kosovës.