Përgjatë historisë politike të Kosovës, qytetarët shumicë Shqiptare e donin mëvetësinë, dhe rritën politike e formësuan dhe shprehën si qëllim politik në përpjekje të gjatë për shtetësinë! Në rrugëtim të konsolidimit të shtetësisë, pas Shkurtit 2008, e kuptuam se sa sfiduese mund të jetë rritja shtetërore për t’a mbrrirë moshën madhore nga ajo e adoleshencës, e që konsiderohet një tranzicion ndërmjet varësisë dhe pavarësisë politike, që qëllimi kryesor i së cilës është sikur përgatitja e fëmijës për moshën e rritur.
Gjatë tranzicionit dhe varësisë politike, joshëse ishte edhe ikja nga përgjegjësitë politike shtetërore, hera-herës duke i’u referuar edhe tutorisë politike nga ndërkombëtarët (‘ambasadat’), andaj, sikur u kultivua një mendësi politike fëmijërore në shpërputhje me dëshirat e një të rrituri.
Në kontekstin ndërkombëtar, Kosova politike, shihej si krijesë që duhej t’i kuptonte përgjegjësitë, dhe sjelljet institucionale me maturitet konform standardeve të shteteve që nuk bien ndesh me shtetin e së drejtës dhe demokracinë, si përcaktim politik. Por, të përsëritura ishin veprimet politike të cilat nuk paraqisnin pjekuri e përgjegjësi, e për rrjedhoj, ‘ambasadat’ nga roli i tyre primar, bënin edhe atë tutorial!. Kjo, më pas, nga vështrimi ndërkombëtar shihej si Kosovë me mendje të një adoleshenti e mbushur me energji por e pa shqetësuar për përgjegjësitë shtetërore, ngase prevalonin mjaftë shumë ato klanore e biznesore. Madje, mes politikanësh kishte një sindromë obsesioni politik me një shkujdesje politike në etapa politike të mëdha e vendim-marrëse!, mbase, figura politike, kryesisht nga ata të pasluftës, ishin plotë jetë politike por që gjindeshin të papregaditur e herë në telashe me ‘tutorët ndërkombëtarë’, për shkak të koncepteve të shkujdesura politike. Kjo, edhe për shkak të prirjeve për aventura politike, protagonizëm politik; dhe për të qenë të rëndësishëm e humbnin sensin e të qenurit të dobishëm. Kështu, e absorbuan sindromën e ‘politikanëve që nuk u rritën kurrë’, madje, nga një fenomen e shëndruan në dukuri politike, e pavarësisht se sa kalonin në politikë vepronin në mënyrë adoleshente dhe u mungonte guximi i daljes nga ombrella tutoriale, asgjë nuk bënin pa ‘ambasadat’!. Ndër arsyet e ndërvarshmërisë dhe mungesës së guximit për pavarësi veprimi, tek këta ‘politikanë’, është edhe mjedisi familjar që ka ndikuar në formësimin e personalitetit të tyre.
Pse ‘ambasadat’ kërkonin me patjetër koordinim-e me shtetin e Kosovës? Ata e kuptuan se çfarë niveli politikanësh bënin politikën, mes tyre mjaft analfabetë, që nuk dinin mirë t’i lexonin fjalimet e tyre në foltore të Kuvendit!, disa madje nuk dolën kurr të flisnin, bile, të tillët ishin ndërmjetësues për krijim Qeverish; morrën e dhanë Ministri si të shpërndanin karamele, pra, pa asnjë program profesional!. Dikur s’kishte më as karamele. Për çudi, ‘ambasadat’ bënin edhe aprovimin ose jo, të emërave për ministra!. Prej tyre kishim dy biznesmenë (2 vota) në ulëset e Kuvendit që morrën katër Ministri? Po, madje krekoseshin për përbërjen e Qeverisë! E njëri nga ta, a i bëri padi ndërkombëtare shtetit të Kosovës? Po, edhe këtë e panë qytetarët e ndërkombëtarët!. A e kishim një këngëtar (1 votë) në ulsen e Kuvendit, i cili publikisht kërcënonte rrëzimin e Qeverisë me votën e tij, nëse nuk i’a bënin një ‘anonimus politik’ ministër? Po, edhe kjo ndodhi.
A e kishim një person që shëtiste nga një parti tek tjetra, herë edhe si ‘sekser’ dhe në fund n’a u bë zëvendës kryeministër? Po, i gjori aq shumë kishte manovruar sa përballë zotëri Edi Ramës, nuk i kujtohej se çfarë ligji kishte miratuar Kuvendi në kohën kur ai mbante funksion, e zotëri Rama i’a ktheu; “tani e kuptoj sa i padijshëm je, prandaj dhe të kanë hequr”!. Po me arsimin e kulturën si dikaster kush menaxhonte? Po me bujqësinë si dikaster kush menaxhonte? Po politikën e jashtme kush e bënte? etj. etj., pra, cilado shoqëri normale, me nivele intelektuale mesatare, do të dëshpërohej nga Qeveritë e saja, e poashtu, të dëshpëruar ishin ‘ambasadat’. Ky listim, me këto ndodhi në Kosovën e pas pavarësisë, për ‘ambasadat’ ka treguar mjaftueshëm papërgjegjësi dhe sjellje politike të papjekura, të cilat binin ndesh edhe me frymën e sjelljes shtetërore.
Cilat janë sfidat për ribërjen e sjelljes shtetërore?
Nuk don mend që pas pesëmbëdhjetë vite mëvetësi, vendin përkatësisht Qeverinë, e gjen me shumë sfida, kryesisht të trashëguara e të krijuara, siç janë; zhvillimi shoqëror i ngecur për shkak të papunësisë së madhe ndërvitesh; e për rrjedhojë, gjendjes jo të mirë ekonomike i ka kontribuar hajnia (korrupsioni) institucionale që nga paslufta; mëpas synimi i të rrinjëve për t’u larguar nga vendi është sfidë jo vetëm shtetërore por edhe emocionale e familjeve tona dhe shoqërisë në tërrësi. Por, garnitura politike drejtuese e vendit do të mund t’u bëjë ballë sfidave që ka para vehtes, nëse do të mund t’i kapërcejë sfidat e mëdha, të brendshme e të jashtme, e veçanërisht ato me ‘ambasadat’.