Lajme

Kurti: Deklarata 2 korrikut 1990 mbetet dokument i çmuar historik për republikën e parë të Kosovës

07/02/2023 15:06
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 33-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të Kosovës.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo deklaratë mbetet dokument i çmuar historik për Kosovën.

“E hartuar si një “akt i vetëvendosjes politike” duke u thirrur “në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve”, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, mbetet një dokument i çmuar historik, si referencë për vlerat e kahes politike të rrugëtimit tonë si komb, për republikën e parë të Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas Kurtit, në historinë e përpjekjeve për Republikën e Kosovës data 2 korrikut e vitit 1990 është një kapërcim i madh dhe i pakthyeshëm.

“Atë ditë të hënë, plot 33 vite më parë, 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, shpallën dhe miratuan një deklaratë kushtetuese, me anë të së cilës artikulohej vullneti politik i popullit që i kishte zgjedhur ata delegatë, për një Republikë të Kosovës”, ka shtuar ai.

E kërkuar veçanërisht nga demonstratat e vitit 1981 e tutje, Republika e Kosovës për të cilën u miratua kjo deklaratë kushtetuese, do të shpallej dy muaj më vonë më 7 shtator 1990 në Kaçanik, me anë të miratimit të një kushtetute nga po këta delegatë, theksoi kryeministri.

Ndonëse atë kohë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, sipas Kurtit, Republika e Kosovës e viteve ’90-ta të shekullit të kaluar, u jetua politikisht dhe u mirëmbajt intensivisht nga populli i Kosovës si një republikë për rezistencë ndaj Serbisë fashiste, e cila Kosovën e pushtuar në vitin 1912, po e mbante të okupuar nën Jugosllavi.