Lajme

Kosova jashtë programit 7.5 miliardësh të BE-së, Murati: Opozita po i mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare

07/02/2023 11:02
nga:Genita C

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar në lidhje me deklaratat që kishin partitë opozitare për mos-përfshirjen e Kosovës në Programin Evropa Digjitale e BE-së, raporton GazetaBlic.

Murati përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se opozita po i mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend.

Sipas Muratit, opozita nuk ka asnjë arsye të vlefshme për të bërë një gjë të tillë.

Shkrimi i plotë:

Opozita qenka ankuar se pse Kosova ende nuk është bërë pjesë e Programit Evropa Digjitale të BE-së.

Mirëpo është e njëjta opozitë që me muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, pa asnjë arsye të vlefshme.

Janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita:

– 25 milionë euro marrëveshja me KfW për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike;

– 84 milionë euro projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH.

– 40 milionë USD marrëveshja me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare.