Lajme

Për hatër të Qeverisë deshta t’i zhduk 20 vitet e kaluara, por…

07/01/2023 11:53
nga:Rrahman Jasharaj

Shkruan: Rrahman Jasharaj

Duke parë se Qeveria Kurti vazhdon të merret me Qeveritë në 20 vitet e shkuara dhe nuk po i del pastaj kohë për të bërë as edhe një punë në shërbim të qytetarëve, vendosa t’i zhduk nga historia të gjitha ato vite dhe emrat e Kryeministrave dhe të Ministrave, por…

Hapa ditarin tim dhe shkova të kujtimet që kam shënuar nga Qeveria Thaçi. Lexova faktet se pagat në arsim kishin shënuar rritje prej 116 %. Po ta zhdukja këtë pjesë atëherë pagat në sektorin e arsimit, por edhe të tërë sektori publik do t’i ngjanin ndihmës sociale. Nuk i zhduka dot këto fletë nga ditari im.

Vazhdova tutje dhe thash hajt po zhduk fletat nga koha kur Kryeministër ishte Isa Mustafa, por jo se ai bashkë me Kujtim Shalën , Avdullah Hotin e Arban Abrashin kishin pranuar vitet e 90-ta për punëtorët e arsimit si vite kontributdhënënëse, kishin implementuar shtesën prej 5 % për çdo vit shërbimi që mundësonte një shtesë goxha të mirë në pagë dhe kishin bërë edhe angazhime të tjera në realizim të kërkesave të SBASHK-ut. Nuk u bë hiç të zhduk as këto faqe nga ditari im.

Shkova tutje duke shfletuar dhe tash po i bëj copë copë fletët e ditarit nga Koha e Qeverisë Haradinaj, por nuk e bëra se po të zhdukej e mos të ishte kjo kohë atëherë punëtorët e arsimit nuk do ta kishin dot Ligjin për punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës, Ligj ky që njeh atë kohë të sakrificave sublime të punëtorëve të arsimit në mbrojtje të dijes e dritës kundër errësirës që donte të mbillte pushtuesi. Ky ligj u siguron një mbështetje shtesë materiale gjithë atyre pishtarëve të dijes dhe ata janë mirënjohës e krenar për këtë. Nuk shlyhet e as nuk harrohet dot as kjo kohë e Qeverisë Haradinaj.

Mendova se e ka më lehtë ta zhduk nga ditari atë kohën e Qeverisë Hoti se zgjatim fatkeqësisht me pak, por nuk e bëra dot. Ishte kjo kohë plot sfida e vështirësi që krijoi pandemia. Kryeministri Hoti me qetësi e urtësi po angazhohej në atë kohë. Na priste në takime dhe qetazi bashkëbisedonim dhe na plotësoi kërkesën për shtesën prej 100 euro në pagë. Ai bashkë me ministrin Likaj e zëvendësministrin Rexhaj u angazhuan sinqerisht dhe u nënshkrua edhe Kontrata Kolektive e Arsimit. Këto fletët e ditarit tim ruajnë vetëm disa fragmente të punës dhe angazhimeve të këtyre kryeministrave e qeverive që ata drejtonin për 20 vite dhe edhe po të kisha unë forcë magjike që të shlyeja këto do të ishte e kotë sepse vite ato kanë mbetur në kujtesën e mësuesit e të gjithë të punësuarve në sektorin publik.

Kryeministër Kurti në këtë rrugëtim kujtimesh në ditarin tim u ndala edhe të faqet që nisen më 14 shkurt e këndej. Nuk gjeta as edhe një kërkesë të realizuar për punëtorët e arsimit, por gjeta e lexova gjithë ato deklarata ironike e fyese .Lexova gjithë ato shpifje e sharje ndaj meje e mësuesve të Kosovës nga njerëz të paudhë që kanë zgjedhur këtë stil të ulët të rrugëtimit vetëm e vetëm për të pasur dhuratë një buzëqeshje nga ju.

Këtë ditarin tim do të botoj pasi të pensionohem dhe prandaj Kryeministër dhe ju Qeveri mos e humbni kohën kot me 20 vitet e kaluara po punoni e angazhohuni sepse deri tani shumë keq qëndroni në faqet e ditarit tim.

(Autori është Kryetar i SBASHK-ut)